Kosova
Hetime për sulmin në veri të Kosovës/ DASH: Po merremi me këtë çështje
Pas pretendimeve se grupi i terroristëve serbë, që sulmoi në veri, është stërvitur me automjete “Humvee”, që SHBA-ja ia dërgoi Ushtrisë serbe, Departamenti i Shtetit ka deklaruar se është duke u marrë me këtë çështje. Përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga Departamenti i Shtetit kanë deklaruar se e kanë marrë seriozisht një pretendim të tillë dhe se janë duke u marrë me këtë çështje. Pretendimet e ngritura nga profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Westminster Aidan Hehir, se automjetet me të cilat grupet serbe u stërvitën para sulmit në veri të Kosovës, ishin amerikane, do të hetohen.
Hehir shkroi të hënën në rrjetin social X, se automjetet që shihen në pamjet e shfaqura nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, janë të tipit “Humvee”. Shtoi se Departamenti i Sigurisë s’do të jetë i lumtur që Serbia “i ka shfrytëzuar makinat që iu dhanë donacion nga SHBA-ja për t’i stërvitur terroristët”.
Muaj me parë, mediat serbe raportuan se Serbia ka blerë nga SHBA 117 automjete të blinduara Humvee, nga e cila porosi, 66 kanë arritur në korrik të këtij viti. Bazuar në postimin e Ambasadës Amerikane në Beograd, ku flet një përfaqësues i ushtrisë amerikane, këto automjete do të duhej të përdoreshin për misione paqeruajtëse ndërkombëtare.
“Posedimi i automjeteve të tilla i lejon Serbisë të jetë pjesë e çdo misioni paqeruajtës, të riorganizohet shpejt me partnerët e saj në mbarë botën”, kishte thënë një pjesëtar i Ushtrisë Amerikane.
KOHA, në lidhje me pretendimin për përdorimin e automjeteve amerikane, i ka dërguar pyetje Ambasadës Amerikane në Kosovë, e cila me pas ato i ka përcjellë te Departamenti i Shtetit.
Përmes një përgjigje me shkrim, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka konfirmuar që janë duke u marrë me këtë çështje.
“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisjet e ofruara nga SHBA-ja kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje”, thuhet nga DASH.
Mediat në Serbi, në të kaluarën kanë raportuar se SHBA-ja i ka dhuruar Serbisë automjete të këtij lloji. Në vitet 2012 dhe 2017, SHBA-ja ia dhuroi shtetit serb gjithsej 40 automjete të këtij lloji. Ministri Sveçla ka publikuar të dielën pamje të trupave serbe teksa stërviteshin për kryerje të sulmit në fshatin Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Pas publikimit të këtyre pamjeve, janë ngritur pretendime se grupi i dyshuar për terrorizëm në veriun e Kosovës, para sulmit është stërvitur me automjete që në Serbi i ka dërguar SHBA-ja./Koha