Aktualitet
Hetimet mbi Banjskën/ Caktohet data kur publikohet dokumenti
Ish ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, konsideron se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke pritur që të përfundojnë zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor në mënyrë që paskësaj të publikojnë dokumentin perfundimtarë dale nga hetimet për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Selimi, ka shkruar në rrjetin ‘X’, se gjetjet do të tregojnë fajtorin e rastit të 24 shtatorit.
“Me sa duket Perëndimi po pret përfundimin e zgjedhjeve serbe për të publikuar gjetjet nga sulmi në Banjskë. Këto gjetje padyshim që do të tregojnë Serbinë si fajtore të përdorimit të forcave të armatosura terroriste. Faktet janë dërrmuese. Radoiçiç ka dalë i lirë pasi ka pranuar vrasjen e oficerit kosovar” – ka shkruar ish ministri i punëve të jashtme.
Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë konfirmuar se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Pas 24 shtatorit, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, teksa Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë mbi aktin.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër ngjarjen, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.
Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet. Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.