Connect with us

Bota

Hetimet pas rrëzimit të Air India fokusohen tek pilotët, a ishte gabimi i tyre?

Tre javë pas rrëzimit të avionit Boeing 787 të Air India, hetuesit kanë zhvendosur vëmendjen nga defektet teknike te jetët dhe veprimet e dy pilotëve në ditët e fundit para tragjedisë, raporton Corriere della Sera.

Sipas gazetës italiane, autoritetet hetuese lokale, edhe pse fillimisht me hezitim, kanë nisur të shqyrtojnë me imtësi të kaluarën dhe gjendjen e dy pilotëve: komandantit Sumeet Sabharwal dhe të parësoficialit Clive Kunder. Ky vendim u mor pas një takimi më 16 qershor, ku përfaqësues të lartë të Boeing dhe GE Aerospace prezantuan të dhëna që sugjeronin një “kriticitet” të ndodhur në kabinën e pilotimit.

Kush ishin pilotët?

Komandanti Sabharwal, 56 vjeç, kishte një karrierë të gjatë dhe të pasur me mbi 15 mijë e 600 orë fluturimi, nga të cilat mbi 8 mijë e 500 në Boeing 787. Ai ishte i licencuar deri në maj 2026 dhe njihej si një profesionist i kujdesshëm, i cili para nisjes kishte kontaktuar familjen duke i qetësuar. Në biseda me të afërm kishte lënë të kuptohej se planifikonte të ndalonte së shpejti për t’u kujdesur për babain e moshuar.

Ndërkohë, Kunder, vetëm 32 vjeç, kishte shumë më pak përvojë: rreth 3.400 orë gjithsej, me 1 mijë e 128 prej tyre në rolin e bashkëpilotit të një 787. Ai punonte në Air India që nga viti 2017 dhe njihej për pasionin e hershëm për aviacionin.

Të dy pilotët rezultuan të pastër në testin e alkoolit para fluturimit, sipas raportit preliminar. Megjithatë, hetuesit kanë ngritur pikëpyetje mbi vendimet e tyre gjatë fluturimit, për shkak të një detaji teknik: dy ndërprerësit që kontrollojnë rrjedhën e karburantit ndodhen në një pozicion ku, sipas një komandanti me përvojë të cituar nga Corriere della Sera, “nuk mund të aktivizohen aksidentalisht”.

Kjo ka shtuar dyshimet për një veprim të qëllimshëm, ndonëse prova konkrete ende mungojnë.

Reagimet dhe sfondi i errët i aviacionit indian

Shoqata e Pilotëve të Linjave Ajrore të Indisë ka reaguar duke kritikuar ashpër hetimin, të cilin e quan “të njëanshëm” dhe “jo transparent”, duke këmbëngulur për një proces të drejtë që përfshin ekspertë të aviacionit.

Ndërkohë, Corriere della Sera kujton se sektori i aviacionit indian ka qenë prej kohësh i tronditur nga akuza për falsifikim të certifikatave të pilotëve. Në vitin 2011, autoritetet vlerësuan se deri në 4.000 pilotë mund të kishin dokumente të falsifikuara. Përpjekjet për reforma ishin të kufizuara edhe për shkak të mungesës së sistemit digjital dhe lehtësisë me të cilën manipuloheshin dokumentet në letër.

Advertisement