Rajon
Hill lëshon thirrjen nga Beogradi/ Asociacioni dhe njohja
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, në “Forumin Ekonomik të Beogradit” ka folur për procesin e negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet një temë e vështirë, duke përmendur vitet 1999 dhe 2008 si data kyçe.
Diplomati amerikan ka thënë se është e qartë që mes dy shteteve ka ende gjëra të pazgjidhura dhe se Bashkimi Europian me këmbëngulje po përpiqet për të gjetur zgjidhje në këto problematika. Hill ka përmendur edhe Asociacionin, duke thënë se është e nevojshme që serbët ta dinë se si do të jetë jeta e tyre .
“Kosova është një temë e vështirë në Serbi. Në procesin e Brukselit, ka elementë që janë ende në tavolinë, se çfarë duhet bërë më në fund. Është e nevojshme që serbët në veri të Kosovës të dinë se si do të jetë jeta e tyre dhe mendoj se i gjithë koncepti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është thelbësor” – ka thënë ambasadori amerikan
Gjithashtu diplomati amerikan ka kujtuar faktin se Kosova edhe pas 15 vitesh pavarësi, vazhdon të mos njihet ende nga 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe shumë vende të tjera të botës. Christopher Hill ka potencuar gjithashtu se Kosova ka nevojë për më shumë kapacitete për të qenë një lojtar ndërkombëtar. Ai tha se në tavolinën e dialogut mbetet ideja që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe në këmbim të marrë një tërheqje të Serbisë për të lejuar Kosovën që të kërkojë anëtarësim në bashkësinë ndërkombëtare. Për ambasadorin amerikan, një gjë e tillë s’është e lehtë, por se kjo duhet të ndodhë.
“Nuk është e lehtë. Ju gjithmonë mendoni se negociatat janë si një ekuacion që mësohet në shkollën e mesme në matematikë, por në fakt është gjithmonë më kompleks se sa ju e mendoni, por kjo duhet të ndodhë” – ka thënë Hill në Forumin e 23-të Ekonomik të Beogradit.