Kosova
HILL NGRE SHTYLLA/ Ambasadori as mish, as peshk dhe çështja e të drejtave të serbëve në Kosovë

Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, ka konsideruar se një nga shtyllat qendrore të këtij procesi është “çështja e të drejtave të serbëve” që jetojnë në Kosovë.
Ai ka theksuar për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) se “askush nuk mund ta fajësojë Serbinë” për mungesën e rezultateve në procesin e dialogut, duke shtuar se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të realizohet.
“Është shumë e vështirë, por duhet të them se Serbia është e përgatitur, ndonjëherë nuk arrihet progres, por nuk mendoj se dikush e fajëson Serbinë për faktin se procesi nuk çon në një mirëkuptim më të mirë. Një nga shtyllat qendrore të procesit të dialogut e konsideroj çështjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Hill, I cili gjithashtu ka folur edhe rreth sulmit të fundit terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, për të cilin Prishtina mban përgjegjës Beogradin. Ai ka përsëritur se Byroja Federale e Hetimeve (FBI) është angazhuar drejtpërdrejt në hetimet për të gjetur fajtorët e sulmit terrorist ndaj infrastruktruës kritike të Kosovës.
“Mendoj se ka një dëshirë nga të gjitha anët për të zbuluar të vërtetën se kush e ka bërë. Sigurisht që nuk shohim asnjë provë që çon në Beograd, por dikush e ka bërë dhe duhet të bëhet një hetim i plotë” – ka shtuar mes tjerash ambasadori amerikan në Serbi.

