Connect with us

Kosova

Hill: Zgjedhjet në Serbi s’mund ta lënë anash dialogun

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Serbi, që do të mbahen më 17 dhjetor, nuk mund ta lejnë anash procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Hill theksoi se pret që dialogu të vazhdojë dhe se “duhet të shikojmë fleksibilitetin” e Prishtinës e Beogradit, sepse, sipas tij, “në fund dhe në mënyrë të pashmangshme do të duhet të jetë një proces i dhënies dhe marrjes”.

“Sigurisht që nuk dua të pretendoj se nuk jemi në një sezon zgjedhor. Jemi në një sezon zgjedhor dhe sezonet zgjedhore, qoftë në Serbi apo në ShBA, gjithmonë paraqesin sfida të veçanta për politikën. Por përsa i përket dialogut të Brukselit, ai në asnjë mënyrë nuk duhet të qëndrojë mënjanë apo të ndalet” – tha Hill për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

I pyetur nëse dialogu Kosovë-Serbi në dritën e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, do të vazhdojë me të njëjtin intensitet apo do të ndikohet nga procesi zgjedhor, diplomati amerikan theksoi se është i mendimit që duhet ecur para.

Përsa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe nëse krijimi i këtij mekanizmi do të jetë parakusht për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut, Hill potencoi se është më e rëndësishme që secila palë të dijë se çfarë është e pranueshme për tjetrën.

“Për palën serbe, Asociacioni është padyshim i rëndësishëm, për Kosovën janë gjëra të tjera si anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, NATO dhe anëtarësimi në BE” – potencoi ambasadori amerikan

 

Advertisement