Connect with us

Rajon

Histeria e Serbisë dhe thirrjet e Radojiçiç

Rada Trajkoviç, këshilltarja e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka treguar se pse i kërkuari nga Policia e Kosovës, Milan Radojiçiç ka bërë thirrje për t’u bojkotuar zgjedhjet lokale në komunat veriore.

Përmes një reagimi në Twitter, të hënën, Trajkoviq ka thënë se me këtë është forcuar argumenti se serbët u detyruan të mos dilnin në votime.

”Jo rastësisht ka qenë Radoiçic ai që ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve në emër të Listës Serbe. Kjo është bërë qëllimisht për të forcuar argumentin se serbët janë detyruar të bojkotojnin prej presionit të militantëve vendas. Arsyet legjitime të bojkotit u lanë në hije dhe motivet e sinqerta të serbëve vendas u shfaqën edhe një herë”, ka thënë ajo.

Trajkovic ka thënë po ashtu se Kosova ka bërë mirë që nuk i ka organizuar zgjedhjet nëpër shkolla.

”Dhe në detin e histerisë, institucioneve të Kosovës duhet të njihet korrektësia në organizimin e zgjedhjeve. Kontejnerët e votimit mund të mos jenë estetikisht të këndshëm, por parandaluan konfliktet: Prishtina vendosi me të drejtë të mos provokojë duke hyrë në shkolla, të cilat janë gjithashtu simbol i identitetit kulturor të komunitetit serb”, ka thënë keshilltarja serbe.

Por ajo ka paralajmëruar se kryetarët e komunave do të përballen presion të madh.

”Kryetarët e rinj do të jenë nën presion të madh mes komuniteteve qe të jenë profesional në punën e tyre dhe – shiko ironinë – të vazhdojnë punën për decentralizimin dhe formimin e Asociacionit. Ata nuk do të mund të bllokojnë proceset apo të marrin vendime drastike dhe kjo mjafton për momentin”, ka thënë Trajkovic, e cila gjithashtu ka shtuar se bojkoti i Listës Serbe nuk do të ketë efekt, për shkak se kanë marrë pjesë në shtatë palë zgjedhje.

”Pse gjatë gjithë kësaj kohe Lista Serbe nuk i zgjidhi problemet por vetëm promovoi forcimin e pavarësisë së brendshme të Kosovës? Është e qartë se ato procese nuk ishin problem për ta, por Kurti ishte problemi i tyre”, ka thënë ajo.

Advertisement