DOSSIER
Historia e panjohur: Si u acaruan marrëdhëniet e Hrushovit me Enver Hoxhën në Kongresin e Partisë Komuniste të BS në 1961

Gjatë raportit të Kongresit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik më 17 tetor 1961, Hrushovi denoncoi tendencat pro-staliniste të qeverisë shqiptare, si dhe kërkoi largimin e udhëheqësve aktualë të saj, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Madje, Hrushovi i akuzonte ata se e kishin keqkuptuar termin e destalinizimit. Përplasja e deklaratave mes Moskës dhe Tiranës, solli dhe çarjen e thyerjen e madhe e përfundimtare me Bashkimin Sovjetik.
Që prej mesit të vitit 1960, marrëdhëniet sovjeto-shqiptare u përkeqësuan ndjeshëm, sidomos pas tetorit 1961. Konferenca e Bukureshtit në qershor 1960, parashikoi se do të dominohej nga konflikti ndërmjet partive komuniste sovjetike dhe kineze, kurse partia shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm, si mbështetëse e vetëm e Pekinit. Menjëherë pas kësaj, udhëheqësit shqiptarë mënjanuan një grusht shteti, që sipas tyre, mbështetej nga Moska. Si pasojë, Moska dhe ndjekësit e saj filluan të reduktonin marrëdhëniet tregtare dhe ndihmat për Shqipërinë.
Sipas Hrushovit, Partia Komuniste shqiptare në gusht 1960, kishte refuzuar dy herë ofertat sovjetike për bisedime. Ndërkohë, sipas shqiptarëve, Hrushovi në tetor të vitit 1960, kishte thënë se ai do ta trajtonte Shqipërinë si Jugosllavinë. Gjatë konferencës së Moskës së partive komuniste, në nëntor 1960, delegacioni shqiptar përsëri e kishte mbështetur tërësisht Pekinin. Kështu, Hoxha e denoncoi Hrushovin me terma spektakolarë. Sipas Hrushovit, Hoxha dhe Shehu në këtë konferencë, kishin refuzuar për herë të tretë bisedimet.
Në fund të vitit 1960, të gjitha kreditë sovjetike dhe ndoshta edhe ato të vendeve të tjera Lindore ndaj Shqipërisë, ishin anuluar. Moska filloi të kërkonte nga Shqipëria të paguante borxhet e mëparshme, që në vitin 1961, ato borxhe që ishin parashikuar t‘i shlyente në vitin 1970. Në fund të vitit 1960, kinezët blenë më shumë se 100 mijë tonë grurë për Shqipërinë. Gjatë gjithë vitit 1961, Shqipëria filloi të bënte përpjekje që të konsiderohej si pjesë e kampit kinez. Ndërkohë, në janar të po këtij viti Bashkimi Sovjetik (sipas Tiranës), kishte tërhequr një grup teknikësh, duke nënkuptuar se do t‘i tërhiqte më vonë të gjithë.
Në kongresin e partisë, në shkurt ‘61, Hoxha rikonfirmoi me vendosmëri pozicionin pro-kinez dhe shpalli publikisht se kishte zbuluar një tentativë grushti shteti (pa akuzuar në mënyrë direkte Moskën, si mbështetëse të këtij grushti). Sipas shqiptarëve, Hrushovi kishte deklaruar se Bashkimi Sovjetik, do të ndalonte të gjitha ndihmat e Shqipërisë. Në prill 1961, kinezët kishin rënë dakord që t‘i jepnin Shqipërisë një ndihmë ekonomike, në shumën prej 125 milionë dollarësh. Kjo është e njëjta shumë që u ishte premtuar më parë, por ishte anuluar nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet Lindore.
Në maj të këtij viti, një gjyq fals kundër “spiunëve dhe tradhtarëve”, u mbajt në Shqipëri, i cili ishte në fakt, një demonstrim force antisovjetik. Kjo u shoqërua me evakuimin e bazës së rëndësishme të nëndetëseve në Vlorë, dëbimin e atasheve ushtarakë sovjetik dhe shqiptarë, dëbimi dhe tërheqjen e disa këshilltarëve ushtarakë sovjetikë, dërgimin në shtëpi të thuajse të të gjithë studentëve shqiptarë, (civilë dhe ushtarak) nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera Lindore dhe një rënie drastike të tregtisë mes dy vendeve.
Në muajt pasardhës ka të dhëna për një fluks të madh këshilltarësh ushtarakë, ekonomikë kinezë në Shqipëri, si dhe vazhdimi i importimit të një sasie të madhe drithi kinez nga Shqipëria, pavarësisht situatës së vështirë ushqimore në Kinë. Mbi të gjitha, kjo tregonte se Kina po shfaqej si i vetmi burim i ndihmës së huaj për Shqipërinë.
Gjatë raportit të Kongresit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik më 17 tetor 1961, Hrushovi iu përgjigj pyetjes retorike, nëse kishte qenë e nevojshme që të sulmohej Stalini dhe stalinizmi “kaq hapur”. “Ishte absolutisht e nevojshme. Në interes të marrëdhënieve të mira mes partisë dhe popullit, të zhvillimit ekonomik dhe të pozicionit sovjetik në botë”,- tha ai. Në këtë kuadër, ai theksoi se kursi politik i destalinizimit, “nuk ishte kuptuar plotësisht” nga udhëheqja shqiptare.
Sipas Hrushovit, kundërshtimi i udhëheqjes shqiptare ndaj destalinizimit, mund të shpjegohej me faktin që ata vetë përdornin metoda të kultit të individit. Ai u mor shumë me gabimet e udhëheqësve shqiptarë dhe për më tepër deklaroi se “çdo gjë e keqe, që ka ekzistuar në vendin tonë, në kohën e kultit të individit, po manifestohej në formën më të keqe, në partinë komuniste shqiptare”. Në vazhdim të kongresit, më 27 tetor 1961, Hrushovi e çoi konfliktin me Shqipërinë në një fazë të re, duke kërkuar hapur përmbysjen e udhëheqjes shqiptare.
Ai i konsideroi ata stalinistë të pakorrigjueshëm, si dhe i akuzoi për spastrimin e udhëheqësve partiakë, të cilët kishin mbështetur idetë e Hrushovit. Ai tha: Për t‘i dhënë fund kultit të personalitetit të Shehut, Hoxhës dhe të tjerëve do të thotë në thelb që ata të heqin dorë nga postet komanduese në parti dhe në shtet, por ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Por ne kemi besim se do të vijë një kohë që komunistët dhe populli shqiptar do ta thonë fjalën e tyre dhe më pas këta persona do të përgjigjen për ato që kanë bërë”.
Gjatë pesë javëve mes kongresit të partisë sovjetike dhe prishjes përfundimtare të marrëdhënieve sovjetiko-shqiptare (në 3 dhjetor 1961) ngjarjet rrodhën shumë shpejt ashtu si ishin parashikuar nga rrjedha e kongresit. Partia shqiptare nxori në 1 nëntor, një editorial që e përshkruante Hrushovin një gënjeshtar, mashtrues, intrigant dhe antimarksist.
Në këtë kuadër, në një fjalim të mbajtur në 7 nëntor, Hoxha duke vazhduar akuzat ndaj Hrushovit për shantazh dhe bllokadë, ai vuri në kontrast figurën liderit aktual sovjetik me rolin e Stalinit si mik dhe mbrojtës i Shqipërisë.
Hoxha këmbëngulte se meritat e Stalinit ishin shumë më të mëdha se dobësitë e tij. Ai akuzonte Hrushovin se po e përdorte çështjen e stalinizmit për të eliminuar njerëz që nuk i pëlqenin dhe tha se Hrushovi krijonte vetë në mënyrë flagrante një kult të personalitetit të tij. / Memorie.al

