Connect with us

Kosova

Historiani gjerman alarmon për planin e Serbisë me veriun e Kosovës dhe zbulon…

Eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, ka komentuar alarmin e gjeneralit amerikan Wesley Clark dhe të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, dëshiron të bëjë në Kosovë, atë që presidenti rus Vladimir Putin po bën në Ukrainë.

Historiani gjerman, nuk e përjashton mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë në planin aftamesëm ose në planin aftagjatë. Mirëpo, për momentin, sipas tij, Serbia nuk mund të sulmojë veriun, e aq më pak Kosovën në tërësi.

Clewing ka thënë se qëllimi i Serbisë me sulmin e 24 shtatorit vitin e kaluar, ishte që të pushtonte veriun e Kosovës, pa rezistencë ushtarake.

“Në një perspektivë afatmesme, situata ushtarake e veriut nuk është mjaftueshëm e qëndrueshme për të parandaluar që gjëra të rënda të përsëriten, pasi Serbia vazhdon të ndjekë synimet e saj revizioniste për Kosovën në tërësi”- ka deklaruar historiani gjerman i cili, për të parandaluar edhe kërcënimin më të vogël të mundshëm, ka përmendur tri masa, që sipas tij, duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.

Masa e parë është të riforcohet koordinimi dhe lidhjet e Kosovës me aleatët e saj kryesorë dhe NATO-n në tërësi.

Si masë të dytë, eksperti përmendi përmirësimin e kapaciteteve dhe aktiviteteve diplomatike të Kosovës.

Për të frenuar ushtarakisht Serbinë, sipas tij, Kosova duhet të aplikojë më seriozisht për anëtarësim në NATO.

“Së treti, për t’u kthyer në një aplikant më serioz për anëtarësim në NATO, dhe për të kontribuar thellësisht në frenimin e Serbisë nga çdo veprim ushtarak. Kjo është një domosdoshmëri që të përmirësohen më tej kapacitetet ushtarake të vetë Kosovës. Masat në këtë drejtim janë marrë, por ato duhet të jenë një angazhim i qëndrueshëm dhe strategjik i qeverisë dhe shoqërisë (dmth. taksapaguesve)”, ka shtuar Konrad Clewing.

Kujtojmë se Gjenerali Clark, në një intervistë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti për CNN, ka thënë se “Serbia dhe Rusia po imitojnë njëra-tjetrën”.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur të vijë koha, ai do bëjë atë që do Putini që ai të bëjë.

Kemi parë shumë dhunë, vrasje në 30 vjetët e fundit dhe kemi menduar se NATO-ja e ka ndaluar, por nëse ka probleme në Ukrainë ai problem do të vijë në Ballkan dhe liderë, si kryeministri Kurti, duhet të përballen me të”, ka thënë ndër tjerash gjenerali Clark.

Advertisement