Connect with us

Kosova

Hoti, Osmanit: Je hipokrite, dikur e luftoje Marrëveshjen e Uashingtonit, sot e quan sukses

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, hipokrite për deklaratat e saj në raport me Marrëveshjen e Uashingtonit.

Në vlerësimin e tij, Osmani kohë më parë e kishte cilësuar këtë ujdi si “cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin”, ndërsa tash – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar”.

“Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme”.

Sipas tij, Marrëveshja në fjalë nuk është zbatuar nga ajo as nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“E keni luftuar atë. Tani po mundoheni ta përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një bashkëbisedimi në “Hudson Institute” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rëndësinë e lidershipit amerikan për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, ka vlerësuar se Administrata e Donald Trump ka potencial për të bërë gjëra të rëndësishme në raport me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jo gjëra të parëndësishme, jo gjëra të vogla. Po flas për gjëra të mëdha, gjëra që do të kontribuonin vërtet në paqen afatgjatë, jo në zgjidhje të shpejta, por paqe afatgjatë në rajon”, tha ajo.

Në këtë kontekst, duke potencuar se Marrëveshja e Uashingtonit – e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Donald Trump dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të atëhershëm, Avdullah Hoti – është zbatuar, Osmani tha se pret që Shtëpia e Bardhë të shkojë përtej kësaj marrëveshjeje.

Advertisement