Connect with us

Rajon

Huligani ballkanik/ Sveçla përplaset me Gjuriç

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, reagoi nëpërmjet një postimi në “X” për shembjen e një billbordi në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbë – në veri të Kosovës, ndërsa e krahasoi në mënyrë banale me “huliganët ballkanikë të futbollit” ministrin kosovar të Punëve të Brendshme, duke përmendur disa grupe të tifozëve shqiptarë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të enjten se kanë hequr një billbord të madh në Zveçan, ku ishin shfaqur fotografi të personaliteteve të ndryshme serbe dhe ruse, përfshirë presidentin e Serbisë dhe Rusisë – Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin – nën arsyetimin se simbole të personave që kanë qasje agresive ndaj Kosovës nuk do të lejohen.

“Askush nuk priste që Sveçla të bënte diçka më të mirë për qytetarët e Kosovës, përveçse të shkatërrojë billborde. Çfarë mënyrë të shkëlqyer zgjodhi për t’ia kujtuar të gjithëve se kjo është e gjëja e vetme me të cilën ai tregon është i zoti” – ka shkruar ambasadori serb, teksa dhe postoi një fotografi të vjetër ku shihet Sveçla duke shkatërruar makinat e EULEX-it gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

“Mënyrën se si i ka shkatërruar i vetëm makinat e EULEX-it në Kosovë, do ta kishin zili të gjithë huliganët ballkanikë të futbollit – nga Klubi I futbollit ‘Ballkani’ i Suharekës, Intelektualët e Klubit ‘Drita’ deri te Ballistët famëkeq të Shkëndijës së Tetovës. Përpara udhëheqës dhe lider i madh!” – ka ironizuar ndër të tjera ambasadori serb në Uashington, i cili ndryshe njihet edhe si korrieri i propagandës serbe.

Kujtojmë se në billbordin e hequr, veç fotografive të Vuçiç dhe Putin, janë parë edhe fotografitë e Gjuriç, Petkoviç dhe tenistit serb, Novak Gjokoviç, i cili njihet për thirrjet nacionaliste dhe irredentise kundër shqiptarëve të Kosovës.

Advertisement