Aktualitet
Humbën jetën 4 pacientë pas shkëputjes së energjisë? Reagon spitali ‘Nënë Tereza’
Dyshohet se 4 pacientë humbën jetën në repartin reumator të spitalit ‘Nënë Tereza’ të premten pas shkëputjes së energjisë elektrike dhe mosvënies në punë të gjeneratorit.
Njoftimi u bë në Komisionin për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nga deputetja demokrate Albana Vokshi e cila tha se ka marrë një denoncim nga një qytetar se në QSUT të premten në mëngjes kanë ikur dritat për dy orë dhe për pasojë kanë ndërruar jetë 4 pacientë.
Lajmi është mohuar nga spitali publik.
Vokshi shpjegoi sipas saj rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë ende në dyshim.
“Ka edhe një ngjarje tjetër të rëndë në QSUT. Sipas këtij informacioni, një punonjës që punon në QSUT, thotë se kanë ikur dritat për më shumë se dy orë. Sipas këtij punonjësi, ka pasur 4 të sëmurë që kanë humbur jetën, gjatë periudhës që kanë ikur dritat, pasi kanë qenë të intubuar, nuk ka funksionuar linja backup. Nëse ky informacion është i vërtetë, do të ishte një skandal shumë i madh. Një spital si QSUT a mund të rrijë pa drita? A është e vërtetë që të premten në mëngjes, duke u gdhirë, kanë ikur dritat? Pse s’ka punuar gjeneratori? Ku janë dërguar pacientët”? tha Vokshi.
Më pas ka ardhe reagimi i spitalit.
“QSUNT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon:
Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.
QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment”, thuhet në njoftimin e spitalit.