LAJMI I FUNDIT
Humbje e madhe/ Berisha: Ditë e zezë për demokracinë, narkoshteti asgjesoi lirinë e votës
Në një moment që numërimi i votave po shkon drejt fundit dhe PS duket se ka korrur një fitore të thellë, Sali Berisha thotë se zgjedhësit shqiptar janë terrorizuar. Për Berishën sot është një ditë e zezë për demokracinë shqiptare.
‘Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa te omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner.
Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit, të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë. Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisionari për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit. Shpreh solidaritetin tim me komisionarin Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre.’- tha Berisha.