Shkrime
“Hysni Milloshi” i Alibeajt
Nga Endri Xhafo
Po e them shpejt si e mendoj këtë punën e kandidatit të “AliBashës” për Tiranën sa nuk i ka dalë ende emri, që të mos kompleksohem pastaj nëse është dikush që e njoh: Kushdo qoftë ai/ajo që fraksioni i PD-së mund të nxjerrë për zgjedhjet e 14 majit, sado i mençur të jetë ai, i zgjuar, i përkushtuar, sinqerisht i fiksuar për të luftuar Erion Veliajn, në fund nuk ka për të shkuar më larg se Hysni Milloshi në 2011.
Në zgjedhjet vendore të 2011-ës Hysni Milloshi mori 1394 vota komunistësh, pra të majta, që do t’i kishin siguruar Edi Ramës një fitore bindëse ndaj Lulzim Bashës. Sepse, pas rinumërimit të fletëve të votimit në kutitë e gabuara, Rama humbi për 81 vota (Basha 124786/Rama 124705).
Situata rrezikon të përsëritet, me sondazhet e Zaloshnjës që i vendosin një tavan maksimal prej 55% Erion Veliajt, që mbështetjen për Alibeajn nuk e çojnë më shumë se 8% (çka ngjan prapë artificialisht lart) dhe me simpatizantët e Belind Këlliçit që e shohin mëse të mundur rikuperimin e diferencës me Veliajn në 5 muajt e mbetur. Por nëse opozita do të dalë me dy kandidatë në zgjedhjet e 14 majit askush nuk ka për të pasur asnjë shans. Dhe nuk mendoj se as vetë Veliaj do ta donte, kërkonte, apo sponsorizonte një fitore të tillë.
Ndaj çdo kandidim i dikujt tjetër nga fraksioni i PD-së përveç Këlliçit do t’i ngjante një akti të pastër tradhëtie veresie. Jo se “tradhëtia” i nënshtrohet gjithmonë logjikës financiare, – shpesh ne shqiptarët tradhëtojmë emocionalisht për inat të “vjehrrës”, – por për dikë që e sheh aksionin e vet politik në perspektivën e zgjedhjeve parlamentare të 2025, prishja e garës në Tiranë, Elbasan, Durrës, e ndoshta edhe në Vorë e Kamëz, thjesht sa do të përshpejtonte fundin e tij politik. Vetëm në mos qofshin “AliBashët” si ata pilotët japonëze të njësisë speciale të “erës hyjnore” (Divine Wind Special Attack Unit), që, të mbaruar se të mbaruar ishin, por luftonin që në fundin e tyre të merrnin me vete edhe sa më shumë kundërshtarë. “Kamikaze” quheshin.