Kosova
I ashtuquajturi Petkoviç: Paqja në Kosovë ruhet përmes dialogut, jo duke u armatosur
I ashtuquajtur drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kundërshtuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pranuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për blerjen e raketave anti-tank, ‘Javelin’ dhe pajisjeve të tjera përkatëse në vlerë prej 75 milionë dollarë.
Sipas Petkoviç duke nisur një garë për armatim nuk mbështetet paqja.
“Paqja në Kosovë mund të ruhet vetëm përmes dialogut dhe kompromisit, jo duke u armatosur” – ka shkruar ai në platformën sociale, X.
Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka vlerësuar se Serbia duhet të ketë një ushtri të fortë, sepse pa të nuk do të mund të ekzistonte si shtet, por vetëm si një territor imagjinar.
Vuçiç i cili të shtunën ka qëndruar në Qendrën Operative të Shërbimit të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, ka paralajmëruar më shumë investime në ushtri dhe pajisje ushtarake “për të frenuar çdo agresor”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA.
Departamenti amerikan i Shtetit në anën tjetër potencoi se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.
Ndërsa kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, potencoi se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet. Ndërkaq, Vuçiç cilësoi lajmin si “zhgënjim të madh”.