Shkrime
I çliruan nga survejimi i babait tiran, por po i flakin në arenën e bullizmit
Nga Çapajev Gjokutaj
Tjetër thonë e tjetër bëjnë. Kjo shprehje të kujtohet këto ditë ndërkohë që ekranet e portalet, thuajse njëzëri përcjellin detaje nga seriali më i ri i kronikës së zezë: historia e ekonomistit 35-vjeçar në Tiranë që kishte ngujuar në apartamentin e familjes gruan, nënën dhe dy fëmijë 5 e 9 vjeç dhe i monitoronte me kamera të vendosura kudo.
Gazetarët e kronikës, qysh në tituj njoftojnë se oo sjellin detaje të reja nga apartamenti i supermbykqyrur. Është kjo një teknikë e njohur dhe e stërpërsëritur për t’i dhënë lajmit trajtë seriali dhe për të tërhequr sa më shumë shikues e lexues. Të gjithë sulmojnë babain tiran dhe marrin në mbrojtje familjen e ngujuar e të dhunuar. Empatia më e madhe shprehet për fëmijët që flinin në burg e jetonin në klimë terrori.
Parë më hollë e në thelb, sulmi mediatik drejtohet kundër tiranit po vete e godet fëmijët për t’ua bërë jetën edhe më tē vështirë sesa gjatë burgimit nga babai. Përfytyrohet se ç’i pret dy fëmijët e gjorë në kopshtin dhe në shkollën ku shkojnë. Jetojmë në hapsira të ngushta e pak të populluara, ndaj thuajse seicili njeh seicilin. Veç kësaj bullizmin dhe stigmatizimin i kemi të fortë e të egër sidomos në ambjente fëmijësh dhe adoleshentësh. Me një familje të bërë telef nëpēr ekrane, me një baba të përmendur me emër e mbiemër, të dy fëmijtë do përjetojnë gjatë turpërimin në publik, por edhe sulme të llojllojshme nga bashkëmoshatarët me prirje bullizuese.
Natyrisht ngjarje të tilla ngjallin interes publik dhe janë rast i mirë për të ndërgjegjsuar shoqërinë. Por kjo nuk arrihet duke publikuar detaje gjithfarëllojesh për marrdhënie familjare e intime, por duke zgjedhur çfarë është e dobishme të bëhet objekt raportimi e temë diskutimi.