Kronike
I dënuar për prostitucion në Itali, kapet tutori me 5 emra
Një 41-vjeçar i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni është arrestuar në Rinas.
Sipas policisë, 41-vjeçari, me disa identitete, ishte pjesë e një grupi kriminal që shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja gjatë periudhës 2008-2012 në Milano.
Ai është dënuar me katër vjet burg në Itali dhe pas kryerjes së procedurave do të ekstradohet drejt vendit fqinj.
Pas ekstradimit tutori me pesë emra do të vuajë dënimin e shqiptuar nga drejtësia italiane.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Identitetet”, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komisariatit të Policisë Rinas, Interpol Tiranës dhe homologëve italianë. Pjesëtar i një grupi kriminal që shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja gjatë periudhës 2008-2012 në Milano, ndalohet në hyrje 41-vjeçari.
41-vjeçari u ndalua me qëllim ekstradimin në Itali, ku është dënuar me mbi 4 vjet burgim, për këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i kontrolleve dhe intervistimeve të detajuara në hyrje/dalje dhe shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga to, ndërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës dhe homologëve italianë, u finalizua operacioni policor i koduar “Identitetet”, gjatë të cilit shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas ndaluan në hyrje të vendit, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-Auron Hashani alias Auron Samurri alias Auron Ajdinaj alias Avni Ajdinaj alias Elvis Ajdinaj, 41 vjeç.
Gjykata e Milanos e ka dënuar 41-vjeçarin, me 4 vjet, 2 muaj e 26 ditë burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka shfrytëzuar për prostitucion në Milano, 2 shtetase të huaja.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali, ku i duhet të vuajë dhe 3 vjet, 11 muaj e 11 ditë burgim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.