Aktualitet
I dënuar për vrasjen e George Floyd, goditet me thikë në burg ish-polici
Derek Chauvin, një ish-oficer policie, që po vuan dënimin në një burg federal në Arizona, i dënuar për vrasjen e afrikano amerikanit George Floyd, u godit me thikë të premten nga një tjetër i burgosur, duke u plagosur rëndë. Lajmi u konfirmua për agjencinë Associated Press nga një person në dijeni të çështjes.
Sulmi ndodhi në burgun e sigurisë së mesme Tucson, i cili prej kohësh përballet me probleme të sigurisë dhe mungesë personeli.
Në një deklaratë të Byrosë së Burgjeve konfirmohej se një i burgosur ishte plagosur mesditën e së premtes dhe se ai ishte dërguar në spital për trajtim, por nuk jepeshin detaje mbi identitetin e tij.
Më deklaratë thuhej se asnjë punonjës i burgut nuk ishte plagosur gjatë incidentit dhe se autoritetet kishin njoftuar FBI-në. Pas ngjarjes autoritetet pezulluan vizitat në këtë burg, ku vuajnë dënimin rreth 380 persona.
Ky është incidenti i dytë në pesë muaj që ndodh në një burg federal, e që përfshin një të burgosur që ka marrë vëmendje të madhe publike. Në korrik, ish-mjeku Larry Nassar, i dënuar për abuzim seksual të gjimnasteve, u godit me thikë nga një i burgosur, në një burg federal në Florida.
Ky është gjithashtu incidenti i dytë i madh që ndodh në burgun federal Tucson në rreth një vit.
Derik Chauvin, 47 vjeç, u dërgua në Tucson në gusht të vitit 2022 nga burgu shtetëror i Minesotës i sigurisë maksimale. Ai po vuan një dënim federal 21-vjeçar për shkeljen e të drejtave civile të George Floyd-it dhe një dënim shtetëror prej rreth 22 vitesh për vrasje të shkallës së dytë.
Avokati i Derik Chauvin, Eric Nelson, kishte kërkuar që klienti i tij të mbahej larg të burgosurve të tjerë, duke parashikuar se ai do të ishte një objektiv për sulme të mundshme. Në Minesota, Derik Chauvin u mbajt kryesisht në izolim thuhej në një dokument të gjykatës.
Javën e kaluar, Gjykata e Lartë hodhi poshtë apelimin e Derik Chauvin për dënimin e tij për vrasje.
George Floyd, afrikano amerikan, vdiq më 25 maj të vitit 2020, pasi Derik Chauvin, një amerikan i bardhë, i mbajti gjurin në qafë për 9 minuta e gjysmë jashtë një dyqani, ku George Floyd dyshohej se po përpiqej të blinte me një kartëmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe./VOA