Aktualitet
I doli emri në media për vrasjen e Martin Canit, oficeri i BKH-së çon në Polici të birin
Djali i hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Maksim Bejkajt dhe specialistes pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Nevila Bejkaj, shtetasi K.B është dorëzuar pranë Policisë së Tiranës.
Burime për Report.tv bëjnë me dije se 14-vjeçari i cili u akuzua nga babai i shokut të Martin Canit, Luis Meçaj, është dorëzuar në polici nga babai i tij ku dhe ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Referuar të njëjtave burime mësohet se i mituri shok i autorit të dyshuar, Mario Përlleshajt, ka pohuar se në ngjarjen e ndodhur mesditën e 18 nëntorit roli i tij ishte të ndante palët.
Sipas hetuesve pamjet tregojnë që shoku i autorit s’ka qenë aty në momentin e vrasjes, por pasi u godit me grusht ai u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Më herët portali “JOQ Albania” raportoi se i përfshirë në ngjarjen e 18 nëntorit ku humbi jetën Martin Cani dhe u plagos Luis Meçja ka qenë dhe një i mitur me iniciale K.B, i cili sipas denoncimit rezulton se është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë së Shtetit, por është lënë i lirë në rrethana të panjohura dhe emri i tij është fshirë nga proces-verbalët.
“K.B është djali i Maksim Bejkaj, hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Nevila Bejkaj, Specialiste e Regjistrave dhe Statistikës pranë Prokurorisë së Posaçme”, thuhej në denoncim.
Grupi hetimor më herët ka sqaruar se autori Mario Përlleshaj ka vepruar i vetëm dhe nuk ka pasur bashkëpunëtor, por sipas portalit online, në deklaratën e marrë nga Oficeri i Policisë Gjyqësore rezulton se i mituri K.B ka qenë i përfshirë në sherr, kundër Martin Canit.
Edhe babai i 14 vjeçarit tjetër që u plagos gjatë sherrit dhe ndodhet në spital, Luis Meçja, ka deklaruar se djali i tij është goditur nga pas shpine me një “biçak” të vogël. Sipas zotit Fiqiri Meçja, personi që mbante thikën e vogël dhe goditi i pari në shpatull djalin e tij, është pikërisht djali i dy zyrtarëve të lartë të drejtësisë.
“Po ta them me emër që personi i parë që e ka goditur Luisin me thikë pas shpine është Kledjon Begaj (siç ka deklaruar ai në TV), bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër. Ky Kledjoni e ka pasur thikën më të vogël thikën dhe këto dëshmi i dhashë sot te Drejtoria e Policisë.
Kledjoni e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, është më shkurtër si plagë dhe më e ngushtë, herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë”, tha babai i Luisit në Euroneës Albania.