Connect with us

Sport

I lindur në Francë dhe pjesë e Mainz, Sylvinho bën gati afrimin e ri në Kombëtare

Mesfushori me tipare sulmuese Anthony Caci mund të jetë afrimi më i ri në Kombëtare. Sylvinho është me mision në Evropë duke takuar lojtarët kuqezi dhe duket se ka një listë fillestare për ndeshjet e muajit mars të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026 kundër Anglisë dhe Andorrës.
Duket se trajneri pëlqen Anthony Cacin, 27-vjeçarin me origjinë shqiptare që ka lindur në Forbach të Francës dhe prej verës së vitit 2022 është pjesë e Mainz në Bundesligë. Sipas shtypit të shkruar drejtuesit e FSHF-së kanë kontaktuar me lojtarin, por ende nuk dihet përgjigjia e tij.
Caci u bë i njohur në Shqipëri muaj më parë për shkak të interesit nga Sylvinho, por tanimë gjërat duken konkrete. Pikërisht asokohe Caci në një postim në rrjetet sociale kishte shkruar shqip, si për të treguar origjinën.
Me vlerë 7 milionë euro në treg, Caci ka dalë nga moshat e Strasbourg dhe tanimë ka kontratë me Mainz deri në verën e 2026. I gjatë 1.84 m, Caci dallohet për lojën e fortë në ajër dhe ‘shpërthimet’ në krah.
Këtë sezon me Mainz ai është aktivizuar në 22 ndeshje duke shënuar një gol dhe dhënë katër asistime në 1802 minuta të grumbulluara. Gjithashtu Caci ka luajtur me moshat e Francës dhe ka qenë pjesë e tyre deri në ekipin U-23.

Advertisement