Kosova
I miri, i keqi dhe i shëmtuari/ Merr fund mandati i Lajçakut
Vizita e Lajçakut ditën e martë në Kosovë, mund të jetë e fundit për të, në rolin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun.
Diplomatit sllovak pritet t’i përfundojë mandati përpara qershorit, dhe nuk dihet nëse për të do të ketë zgjatje të serishme të përgjegjësisë, pasi BE-në e pret një proces zgjedhor gjithashtu.
Por për aq sa ishte në këtë pozitë, për rolin e tij, Lajçak u polemizua shumë brenda e jashtë institucioneve të Kosovës.
Devijim klasik të misionit për të cilin ka qenë i thirrur, e konsideron veprimtarinë e Lajçakut profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dorajet Imeri. Sipas tij diplomati evropian e ka trajtuar Serbinë palë, kurse Kosovën temë në dialog.
“Nëse ai do të mbahet në mend, është se Serbia ka bërë aggression ndaj Kosovës, kurse Lajçak nuk ka thënë asnjë fjalë. Emisari gjithashtu ka thënë që Kushtetuta e Kosovës, nuk është e shkruar në gur dhe mund të ndryshohet, ndërsa marrëveshja Kosovë- Sebri në parim nënkupton respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Unë kujtoj si Serbia menjëherë pas marrëveshjes së Ohrit votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe Lajcak nuk tha asnjë fjalë të vetme,” – kujtoi Dorajet Imeri – Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Por Belgzim Kamberi nga Instituti Musile Kokalari megjithatë ka kërkuar dhe ka gjetur një sukses të tij në këtë proces, teksa tha se për njëanshmëri Lajçaku është akuzuar nga të dyja palët, ajo kosovare dhe serbe.
“Nëse mund ta konsiderojmë një nga sukseset e tij është që megjithatë nën mandatin e tij është arritur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, njëherë në Bruksel e pastaj në Ohër. Ndërkaq dështimi është se siç duket, se do ta përfundojë mandatin pa zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje veçanërisht të pikave kryesore” – tha Belgzim.
Kujtojmë se Miroslav Lajçak është akuzuar disa herë nga Kryeministri Kurti dhe Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, për njëanshmëri në procesin e dialogut teksa në një përgjigje për mediat Lajcak pati konfirmuar se ai mban vetëm një anë, duke thënë se është në anën e Bashkimit Evropian.