Connect with us

Aktualitet

I theu këmbën 3-vjeçares, arrestohet edukatorja Majlinda Dehima

Edukatorja, Majlinda Dehima që dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin “Stinët” në Tiranë është arrestuar nga policia.

48-vjeçarja akuzohet për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”. Ndërkohë Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.

NJOFTIMI I POLICISË: 

DVP Tiranë

Në vazhdim të veprimeve të thelluara hetimore në lidhje me rastin e keqtrajtimit të një 3-vjeçareje në një kopsht privat, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për masën e sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen Majlinda Dehima, 48 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Kjo shtetase dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në një kopësht privat, ku punonte si edukatore.

Ndërkohë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopështe e shkolla private, Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.

Policia e Shtetit fton prindërit, mediat e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit e keqtrajtimit të fëmijëve në kopështe, çerdhe e shkolla, duke ju garantuar për reagim të shpejtë e profesional.

Edukatorja Majlinda Dehima, në polici ka deklaruar se e ka goditur vajzën 3-vjeçare, me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim, teksa ka shtuar se vajza e vogël nuk kishte vëmendjen dhe nuk përfshihej, ndryshe nga fëmijët e tjerë në klasë. Pas ngjarjes, Ministria e Arsimit reagoi duke zbuluar një fakt edhe më të rëndë, se kopshti “Stinët” është i pa licencuar, pra e ushtron veprimtarinë e tij në paligjshmëri. Vetëm pas denoncimit të prindërve dhe bërjes së rastit publik, kopshti është mbyllur.

Advertisement