Connect with us

Bota

I vetmi i mbijetuar nga përplasja e avionit të “Air India”/ Familjarët: Ëndërron sikur është ende në avion dhe…

Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, është i vetmi pasagjer që mbijetoi nga rrëzimi tragjik i avionit të Air India me 242 persona në bord. Por ndonëse ka shpëtuar fizikisht me vetëm disa plagë në fytyrë dhe gjoks, ai mbetet i rrënuar psikologjikisht nga ajo që ka përjetuar dhe nga ndjenja e fajit për vdekjen e vëllait të tij.

I ulur në vendin 11A të avionit Boeing 787 Dreamliner, Vishwash është quajtur nga mediat indiane “njeriu mrekulli” dhe “fëmija i Zotit”, por për të vetë, mbijetesa është një barrë e rëndë për të jetuar.

“Nuk e di si shpëtova. I pashë të gjithë duke vdekur para syve të mi”, u shpreh ai për mediat.
Vëllai i tij Ajay, 35 vjeç, humbi jetën në rrëzim dhe Vishwash është torturuar që prej asaj dite nga ndjenja e pafuqisë pasi nuk e ndihmoi dot.

“Jam mirë fizikisht, por më vret fakti që nuk arrita ta shpëtoja vëllain tim”, tha ai për The Sun.
Ai kishte tentuar të rezervonte dy vende pranë njëri-tjetrit për fluturimin fatkeq AI171, por ishte i detyruar të zgjidhte vende të ndara për shkak të mungesës së vendeve.

 

 

“Nëse do të ishim ulur bashkë, ndoshta të dy do të kishim shpëtuar,” shton ai.
Sipas të afërmve të tij, Vishwash kalon net të vështira, me gjumë të shqetësuar dhe makthe të përsëritura. “Ëndërron sikur është ende në avion dhe i sheh të gjithë duke vdekur,” tha Krunal Keshave, një kushëri i tij nga Leicester. “Ai nuk flet për aksidentin, por mban gjithçka brenda.”

Pas rrëzimit, Vishwash tentoi të kthehej në avion për të shpëtuar vëllain e tij. Pamjet e siguruara nga MailOnline e tregojnë atë duke iu lutur punonjësve të urgjencës: “Vëllai im është atje dhe po digjet për së gjalli. Duhet ta shpëtoj.”

Sipas punonjësit të parë të ndihmës në vendngjarje, ai ishte i gjakosur, i çorientuar dhe në shok, por i vendosur të kthehej brenda. Ai më pas mbajti arkivolin e vëllait të tij në një ceremoni në Gujarat.

Avioni u përplas në një konvikt të një kolegji mjekësor në qytetin e Ahmedabadit, duke vrarë 241 nga 242 personat në bord, përfshirë 52 shtetas britanikë – duke e bërë këtë një nga aksidentet ajrore më të rënda për Britaninë.

Hetimet për rrëzimin janë përqendruar tek veprimet e kapitenit Sumeet Sabharwal, i cili dyshohet se fikur çelësat e furnizimit me karburant në mes të panikut, ndërkohë që oficeri i parë Clive Kunder përpiqej të stabilizonte avionin. Regjistrimet nga kutia e zezë tregojnë një shkëmbim të tensionuar midis dy pilotëve, ku asnjëri nuk merr përgjegjësinë për ndërprerjen fatale të furnizimit me karburant.

Ndërkohë, për Vishwash, mbijetesa ka ardhur me një çmim të tmerrshëm emocional. Ai jeton çdo ditë me kujtimin e vëllait të humbur dhe peshën e të qenit i vetmi që shpëtoi nga një katastrofë që preku dhjetëra familje në Indi dhe Britani.

Advertisement