Kronike
I vuri zjarrin tokës me të mbjella, arrestohet 43-vjeçari
Një 43 vjeçar është arrestuar këtë të martë në Cërrik, pasi akuzohet për zjarrvënie.
Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale H. Ç, pasi dyshohet se ka hedhur një cigare në tokë, dhe nga përhapja e flakëve, janë djegur disa sipërfaqe të mbjella, në pronësi të 2 shtetasve të tjerë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, pas njoftimit për një vatër zjarri në fshatin Qyrkan, njësia administrative Klos, kanë shkuar menjëherë në këtë zonë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe arrestimin e autorit/ëve.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të këtij rasti zjarrvënieje, shtetasit H. Ç., 43 vjeç, banues në fshatin Lumas, Cërrik.
Ky shtetas, dyshohet se nga pakujdesia (hedhja e një cigareje të ndezur), ka ndezur zjarr në tokën e tij, dhe nga përhapja e flakëve, janë djegur disa sipërfaqe të mbjella, në pronësi të 2 shtetasve të tjerë”,- njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.