Politike
‘I Zot të qash a të qeshësh’
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe një herë tjetër për akuzat që iu janë bërë nga opozita për udhëtimet me charter. Përmes një reagimi të bërë në ‘Twitter’, Rama thotë se nuk di se si të reagojë kur lexon të tilla shkrime për të. Kreu i Qeverisë, pyet se kujt duhet t’i bëjë reklamë po nuk i bëri vendit të tij.
REAGIMI I RAMËS:
I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?! Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot,me qera s’e marrim dot,ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale!
Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!
Ditën e djeshme, kreu i PD-së, Sali Berisha ka propozuar ngritjen e një komisioni hetimor për zyrtarët dhe politikanët që abuzojnë me udhëtime.
Hackerat kanë publikuar të gjitha të dhënat që janë marrë nga sistemi TIMS ku janë shënuar hyrjet dhe daljet e kryeministrit. Në dosjen e plotë të publikuar nga hakerat iranianë, shihet se mbizotërojnë fluturimet me “CHARTER – 0000” që në total janë 274. Vetë numri një i qeverisë tha avioni që përdor për udhëtime pune nuk është një charter komercial, po një avion i thjeshtë, ndërsa shtoi se shpenzimet i ka të deklaruara në buxhetin e qeverisë. Kryedemokrati Sali Berisha e ka konsideruar një krim, shpenzimin e mbi 19 milionë eurove në këto udhëtime.