Kosova
Ide në tym/ Asociacioni sipas analistëve
Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë ofruar Kosovës mundësi që t’i japë formë Asociacionit ashtu siç ajo dëshiron, në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Megjithatë, thotë ai, mbetet të shihet nëse kushtet e Kurtit do të shndërrohen në dokument konkret në bisedimet në Bruksel, apo do të mbeten në formën e “parimeve abstrakte”.
“Kryeministri akoma është në nivelin e parimeve, ndërkohë që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë presin një dokument që të jetë në formën e statutit për Asociacionin, ku gjithsesi mund të përfshihen edhe kushtet që i ka parashtruar Kurti.” – tha analisti
Nga ana tjetër, për Miodrag Milliçeviç, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, Aktiv, nga Mitrovica e Veriut, thotë se Albin Kurti po përpiqet që përmes idesë së tij të ndërrimit të emrit, të bindë opinionin se nuk do të lejojë një asociacion njëetnik.
“Por, në fakt, diçka e tillë në Kosovë nuk është e mundshme, për shkak se pjesa më e madhe e komunave që do të duhej ta përbënin Asociacionin e komunave me shumicë serbe në të ardhmen, janë shumetnike. Në këtë pikë, përveç çështjes së komunitetit serb, është e hapur edhe çështja e funksionimit të komunitetit shqiptar përbrenda atyre komunave, gjegjësisht e funksionimit të komuniteteve tjera pakicë apo joshumicë në ato komuna” – tha Milliçeviç