Connect with us

Kosova

Ideja e shkëmbimit të territoreve mund të ngrihet sërish, politologu paralajmëron

Boris Varga, politolog dhe gazetar serb, në një intervistë për agjencinë ukrainase të lajmeve, teksa komentoi rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, konsideroi se ideja e shkëmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve mund të rikthehet sërish në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve ekzistuese.

Ai kujtoi se presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, sugjeroi negocim mbi një parim të ri: këmbim territoresh ku të dyja palët do të rishikonin kufijtë e tyre përgjatë vijave etnike duke transferuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës në Serbi në këmbim të një pjese me shumicë shqiptare në Serbi, drejt Kosoves, porse kjo ide nuk u mbështet nga Gjermania.

“Një ditë, çështja e shkëmbimit të territoreve mund të ngritet përsëri. Në vitin 2018 u hodh mbi tavolinë një ide joformale: u propozua që Serbia ta njohë Kosovën, por veriu i Kosovës do t’i kalonte Serbisë dhe Lugina e Preshevës do t’i bashkohej Kosovës. Mirëpo, në atë kohë, kjo ide nuk u mbështet nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, por edhe nga Rusia”- tha Varga.

Megjithatë, sipas tij presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fund e kuptoi se është më realiste që të krijonte “botën serbe” pa Kosovën. Varga shtoi se kjo ideologji shkatërruese serbe ndihet në të gjithë rajonin, por më shumë atje ku nacionalistët serbë kanë ndikim më të madh, posaçërisht në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Serbia gradualisht do të pajtohet me zhvillimin e shtetësisë së Kosovës, por do të kërkojë më shumë ndikim në Republikën Sërpska që është pjesë e Bosnjë e Hercegovinës dhe në Malin e Zi, ndonëse kjo e fundit është anëtare e NATO-s”, potencoi Varga

 

Advertisement