Kosova
Igor Popoviç e quajti UÇK-në organizatë terroriste/ Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë ndaj zyrtarit serb

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj zyrtarit serb, Igor Popoviç. Ndihmësi i drejtorit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, akuzohet për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, tha Prokuroria Speciale përmes një njoftimit.
Prokuroria tha se Popoviç, me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Rahovec më 18 korrik.
Ai, tha Prokuroria, gjatë fjalimit, ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “’Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste’, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: ‘Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe..’”, u tha në njoftim.
Pas fjalimit në Hoçë të Madhe, Popoviq ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në pikëkalimin kufitar në Bërnjak – që lidh Kosovën me Serbinë – dhe ishte dërguar në mbajtje policore për 48-orë.
Më pas, më 20 korrik Gjykata Themelore në Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji. Avokati i Popoviqit iu drejtua Apelit, por edhe shkalla e dytë e la në fuqi masën e paraburgimit.
Zyrtarët në Serbi vazhdimisht e kanë dënuar arrestimin e Popoviqit, duke e cilësuar si një “vendim politik” dhe duke kërkuar lirimin e tij.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka paralajmëruar Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”. Kjo deklaratë është cilësuar si kërcënim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të reagojë.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999. Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. Gjatë konferencës, Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë./REL

