Politike
Ilir Metën po e trajtojnë në mënyrë ç’njerëzore/ Erisa Xhixho e indinjuar, akuzon institucionet
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar pas publikimit të raportit më të fundit të Avokatit të Popullit, duke deklaruar se dokumenti konfirmon shqetësimet që PL i ka ngritur prej më shumë se një viti mbi shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj Presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në IEPV-në “Jordan Misja”.
Sipas Xhixhos, raporti evidenton kufizime të pajustifikuara dhe trajtim çnjerëzor ndaj Metës, të cilin ajo e konsideron “të burgosur politik”, ndërsa e gjithë çështja është “proces i montuar politikisht” dhe shoqëruar me abuzim pushteti.
Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:
Raporti më i fundit i Avokatit të Popullit konfirmon zyrtarisht atë që Partia e Lirisë e ka denoncuar prej më shumë se një viti për shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të z. Meta në IEPV-në “Jordan Misja”, ku ai ndodhet i burgosur politik pa fakte dhe pa prova penale, prej më shumë se një viti.
I gjithë procesi është i montuar politikisht, i shoqëruar me abuzim pushteti dhe përdorim represiv të institucioneve të drejtësisë.
Gjetjet kryesore të raportit janë tronditëse:
-Avokati i Popullit ka konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj si minimumi i parashikuar në ligj duke e kthyer në standard të ngurtë, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik, përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të së drejtës për t’u organizuar politikisht.
-Ndalimi i padrejtë i vizitave të deputetëve dhe eurodeputetëve, duke kërkuar autorizime që ligji nuk i parashikon – një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e standardeve ndërkombëtare.
Parashikimi në nenin 51 të ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, shpreh qartë faktin se deputetët mund të marrin takim me të paraburgosurit pa autorizim me shkrim të prokurorit.
-Kufizimi i komunikimit politik dhe pengimi i kontakteve me drejtuesit e partisë, pa asnjë bazë ligjore por vetëm zbatim i urdhrit politik të Edi Ramës.
-Ndërhyrja dhe bllokimi i komunikimit me median, një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes dhe transparencës.
Raporti i Avokatit të Popullit thotë qartë se të paraburgosurit duhet të kenë një regjim më të lirë dhe më të gjerë për gëzimin e të drejtave, edhe për shkak të aplikimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Të gjitha këto janë praktikë e një shteti represiv, që përdor burgjet dhe institucionet e drejtësisë si instrument politik për të ndërtuar një regjim arbitrar dhe policor.
Këto janë faktet që dëshmojnë për një sistem që shkel hapur të drejtat e njeriut dhe vepron mbi bazën e urdhrave politikë dhe jo mbi bazën e ligjit.