Connect with us

Shkrime

Iluzioni i panevojshëm se Trump do të heqë non gratën

Nga Andi Bushati

Që të nesërmen e fitores plebishitare të miliarderit konservator Donald Trump, në zgjedhjet amerikane, opozita shqiptare është përfshirë nga një eufori e pajustifikuar e cila lidhet para së gjithash me mundësinë e heqjes së njollës ‘non-grata’, që rëndon prej tre vitesh mbi liderin e saj Sali Berisha.

Dikush përmend se ka të dhëna që administrata e re, sapo të vijë në pushtet, do të shkëputet nga politikat e sekretarit të shtetit Blinken dhe të dirigjentit të tij Soros, për të shantazhuar liderët e rajonit tonë, përmes instrumentit të ndalimit të hyrjes në SHBA. Madje ka nga ata që përbetohen se kjo do të ndodhë shumë shpejt.
Të tjerë, më entuziastë akoma, shohin një sinjal pozitiv tek zgjedhja e senatorit Marco Rubio në postin e shefit të diplomacisë amerikane. Shpresa e tyre bazohet tek qëndrimet e këtij pasardhësi të Blinkenit, që ka denoncuar në fillim të vitit përdorimin nga demokratët të sanksionit “non grata”, si një instrument për të goditur liderët konservatorë dhe pro amerikanë në botë. Ndonëse letra që Rubio, së bashku me disa senatorë të tjerë, fokusohet në politikat për Amerikën latine, askush mes PD-istëve shqiptarë nuk ka dyshime se analogjia është e njëjtë edhe për ne.

Më entuziastët i shtojnë fakteve të mësipërme edhe emërimin në organigramën e pushtetit të ardhshëm të “berishistit”, Lee Zeldin. Caktimi i kongresmenit që e ka quajtur kreun e PD si një mik të familjes Bush dhe armik të Sorosit, në krye të agjensisë për Mbrojtjen e Mjedisit, po komentohet si sinjal pozitiv. Fakti se ai i drejtoi pyetje sekretarit të shtetit në komisionin e jashtën, se i dërgoi atij disa letra që mbetën pa përgjigje, ku kërkonte fakte për argumentimin e non gratës, e rrit euforinë se në Uashington, bashkë me shumëçka, rrota e historisë ka ndryshuar edhe për vendin tonë.

Kësaj vale entuziazmi i fryjnë si mediat e pakta pro opozitës, si familjarë të vetë Berishës, ashtu dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt që e kërkojnë heqjen e sanksionimit, mundësisht para zgjedhjeve të pranverës së ardhshme.

Por pyetja që shtrohet është: çfarë vlere ka kjo fortunë në gotë, përveç një sadisfaksioni moral për vetë të prekurin? Sa peshe politike ka realisht ajo?

Për të kuptuar këtë duhet që fillimisht të rikujtojmë edhe njëherë synimet që pati dhe qëllimet që arriti akti i “non gratës”. Si një lëvizje e lobuar drejtpërdrejt nga Tirana, e shpallur shumë kohë më parë me gojën e vetë Edi Ramës, e përforcuar me metoda korruptive alla McGonigal, e pa mbështetur në asnjë dokument, ashtu sikurse pohonte edhe ish shefi i shërbimeve sekrete Grenell, ajo kishte dy objektiva. Së pari, si synim imediat, të godiste opozitën dhe të mpinte reagimin e saj pas masakrës elektorale të 2021. Në afatgjatë, ajo tentonte t’i jepte më shumë fuqi kryeministrit Rama duke i dhuruar atij kundërshtarë të bindur, të cilët i tërhiqnin për veshi diplomatët stabilokratë.

Objektivi i dytë qe, që nëse Berisha nuk bindej, ai të masakrohej përmes armës së drejtësisë së re. Pra nëse nuk e nxirrnin dot nga skena politikisht, për këtë duhej përdorur rruga ligjore. Shprehja e Escobar, ne e bëmë tonën, tani i përket drejtësisë shqiptare të gjejë faktet, dëshmon më së miri, se non grata shërbeu për të krijuar atmosferën e izolimit të liderit historik të demokratëve.

Po t’i shohim nga sot, tre vitë më pas, të dyja këto objektiva janë ezaruruar. Masa dërmuese e elektoratit opozitar e trajtoi si letër higjenike dekretin e sekretarit të shtetit. Ai krijoi reaksionin e kundërt. Thirrjet e Yuri Kim: “do hani bar”, “mos votoni për non gratat” u përqeshën nga zgjedhësit. Ata që i mbajtën iso atyre, ose dolën me turp nga skena, ose u detyruan të kthehen me bisht në shalë tek Berisha. Pra politikisht, në gjirin e PD-së, efekti i aktit të lobuar që firmosi Blinken ishte zero.

Ndërsa, nga ana tjetër, si municion për armën e drejtësisë së re, ai e arriti qëllimin. Me justifikimin se e duan në burg amerikanët, prokurorët e SPAK e izoluan liderin demokrat përmes një dosjeje paçavure.

Që të dyja këto pamje tregojnë të njëjtën gjë, se sot non grata është një letër që nuk mund të përdoret më. Ata “euro atlantikë” që u kacavorrën pas saj, sot nuk ekzistojnë elektoralisht, ndërsa pushteti që e shfrytëzoi për goditjen penale ndaj Berishës, tani që kontrollohet krejtësisht nga Rama, nuk ka më ndërmend të tërhiqet pas. Si e tillë ajo as nuk vlen, as nuk shërben më. Në gjirin e opozitës ajo e humbi peshën, kurse për sa i’u desh qeverisë, e kreu misionin.

Prandaj pyetja shtrohet: pse gjithë ky entuziazëm në PD për zhvlerësimin e një letre tashmë pa vlerë? Pse i jepet kaq rëndësi një akti që edhe po u zhbë, nuk ka efekt tjetër veç përkëdheljes së krenarisë personale të Berishës, ndërsa nëse, po s’ndodhi deri në zgjedhje, mund të krijojë një efekt bomerang?

Pikërisht ky është një tjetër dimension i kurthit ku po futet me këmbët e saj opozita, duke vënë një shenjë gati barazimi mes përmbysjes që ndodhi në SHBA dhe efektit të domosdoshëm që ajo mund të provokojë ketëj në anët tona. Ky iluzion, aspak realist, anashkalon faktin se në 20 janar, në shtëpinë e bardhë, do të futet vërtet një udhëheqës konservator, që denoncon Sorosin dhe depp state, por që është njëkohësisht një politikan, që i përbuz vlerat demokratike dhe ka adhurim për autokratët.

Si i tillë Donald Trump, me paparashikueshmërinë e tij, nuk jep asnjë garanci se mund të përbëjë kërcënim për regjimin shqiptar. Madje, nuk do ishte çudi që Rama të dalë më i fortë, qoftë dhe duke ndodhur “merkullia” dhe të zhbëhej non grata.

 

Advertisement