Politike
“Inaugurimi i Trump u ndoq dhe në burgun e Fierit”, Salianji letër nga qelia
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një letë nga qelia ka treguar se inaugurimi i presidentit Donald Trump u ndoq edhe në burgun e Fierit. Teksa komentonte fjalimin e senatores Amy Klobuchar për Trump, Salianji shprehet se në Shqipëri është harruar se pushteti i politikanëve vjen nga njerëzit. Sipas tij prej 12 vitesh njerëzit në Shqipëri dhe interesat e tyre nuk përfillen.
Ish-deputeti shprehet se kryeministri Edi Rama “mendon sot se burimi i pushtetit është ai vetë, dhe e ndan dhe e ushtron atë si të dojë dhe njerëzit janë thjesht spektatorë.”
Më tej, Salianji shprehet se sot bëhen 4 muaj në atë qeli, ndërsa thotë se u burgos pasi bënte betejë për interesin publik, dhe denonconte krimin. Ai thotë se vijon të jetë i marrë peng me urdhër të kryeministrit. Salianji tregon se çështjen e ka ndjekur në të gjithë instancat dhe do ta cojë deri në Strasburg. Ai thotë se do ta kërkojë të drejtën deri në fund të botës dhe deri sa të ketë frymë.
LETRA E PLOTË:
Letër nga qelia 6/Ne njerëzit…
Ceremonia e marrjes së detyrës nga Donald Trump ishte mjaft e ndjekur në gjithë botën, njësoj u ndoq dhe në burgun e Fierit. Pasdite vonë ka zakonisht zëra, zhurma e biseda me ton të lartë. Atë ditë, qetësi. Dhe të nesërmen në lulishten e vogël ku bëhen takime me familjarë e miq, kjo temë po diskutohej. Ndonëse mijëra kilometra larg, ngjarjet e mëdha mbërrijnë dhe mbërthejnë njerëzit dhe në cepat e izoluar.
Të mbesin në mend fjalët e senatores Amy Klobuchar, e cila ju drejtua Presidentit të ri dhe zëvendësit të tij me fjalët se; mos harroni në asnjë moment që pushteti që po merrni sot, u vjen nga njerëzit, nga punëtorët, nga mësuesit, nga policët, nga zjarrfikësit, nga naftëtarët, nga amerikanët.
Edhe kushtetuta e SHBA, ndryshe nga shumë të tjera, nis me fjalët; ne njerëzit e Shteteve të Bashkuara… Do të ishte cinike të bëjmë krahasime mes celebrimit të demokracisë më vezulluese në botë me këtë tonën. Ajo atje, shumë e shumë kohë më parë i ka marrë mendjen filozofëve e mendimtarëve si Tokëvilli. Por nuk mund të mos ndalesh e të reflektosh me këto parime që u përmendën më lart. “Mos harroni në asnjë çast se pushteti juaj vjen nga njerëzit…”
Ky moment është zhdukur në Shqipëri. Njerëzit, ka 12 vite që nuk janë fare në refene. Pushteti që ka buruar prej tyre ka pësuar aq shumë thyerje e devijime, mbi të janë krijuar aq shumë qendra okulte, lëmshe me interesa e spirale përfitimesh, sa nuk shkon dot e nuk i dallon dot më rrënjët. Autokratuci mendon sot se burimi i pushtetit është ai vetë, dhe e ndan dhe e ushtron atë si të dojë. Njerëzit janë thjesht spektatorë.
Jo më kot ai kërcënon duke thënë se këtu më keni deri në 2030, a më tej. Sepse llogaritë i bën me hallkat e zyrave dhe institucioneve që ka nën kontroll, me paratë, me mediat, me oligarkët, me grupet kriminale, me mbështetjen ndërkombëtare që siguron duke dhënë copa Shqipërie, nga Sazani në Lezhë, sikur të ishte baçja e tij në Surrel.
Këtë matematikë ka ai. Dhe me këto segmente ai e ka bilancin në rregull. Ka marrë vota e pushtet, ka ndarë pasuri. Kjo është arsyeja pse nuk jep llogari para qytetarëve për qeverisjes mizerabël të 12 viteve. Nuk ekzistojnë ata.
Një nga pasojat e këtij deformimi të madh, të shtrembërimit të pushtetit, të humbjes së fillit me burimin legjitim, me njerëzit, është dhe kontrolli mbi drejtësinë. Përndjekja e kundërshtarit.
Sot bëhen 4 muaj që jam në qelinë numër 6 të burgut të Fierit, sepse bëja betejë për interesin publik, denoncoja krimin, keqqeverisjen dhe e mundja rilindjen kudo ku më ngarkohej një detyrë, pa ligj por thjesht sepse kjo ishte dëshira e Kryeministrit jam ende i marrë peng.
Ndodhesh pra në Republikën ku pa ligj, pa precedent, pa prova, pa e konsumuar veprën për të cilën akuzohesh, thjesht për një denoncim publik, për një konferencë shtypi, përfundon pas hekurave.
Për një deklarim që u provua si i vërtetë nga vetë i denoncuari, i cili shkoi brenda ditës të vuante burgun në Itali, ku ishte dënuar me 7 vite e 4 muaj, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Shkoi të vuante atë burg, që e kishte zëvendësuar me relaks e aktivitet në Vlorë, falë mbështetjes që kishte nga vëllai, Ministër i Brendshëm e nga Kryeministri.
Asnjë shtetas nuk është dënuar me 1 vit burg për një denoncim. Aq më pak një deputet, që ditën kur del gjykata dhe shpall atë që ka paralajmëruar kryeministri, e ka ende mandatin e të zgjedhurit.
Ne kemi ndjekur gjithë instancat, dhe kjo çështje do të shkojë në Strazburg, e unë do ta kërkoj të drejtën deri në fund të botës, e sa të kem frymë.
Por nëse ky turp i drejtësisë qendron në fuqi, çdo njeri që do të thotë diçka që bezdis Kryeministrin, ministrat, familjarët e tij apo të klanit të tij, mund të përfundojë në qeli.
Kush e ndalon, kush i jep garancitë që kjo të mos ndodhë? Askush derisa në pushtet të jetë ai që mendon se i ka ardhur nga qielli e drejta për të qeverisur e diktuar, dhe jo nga njerēzit!
Këtë herë pakënaqësia është në kulm, ndihet kudo. Qytetarët janë garancia për ta ruajtur Republikën. Po sidomos, vota e diasporës mund të përmbysë planet e djallit!
Gjasat janë që njerëzit t’i thonë Edi Ramës se ekzistojnë, se janë këtu, dhe se pushteti buron nga ata. Kjo është data 11 maj. Dita e njerëzve dhe fundi i autokratucit, me bishtin në shalë.