Connect with us

Politike

Incidenti me gazetaren/ Safe Journalist i ‘tërheq’ veshin, Rama tregohet kokëfortë: Nuk kërkoj falje…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje incidentin e ndodhur sot me gazetaren Ambrozia Meta.

Në një postim në rrjetin social “X” ai reagoi në lidhje me deklaratën e Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, e cila kërkonte që kreu i qeverisë të shprehte ndjesë mbi ngjarjen.

Rama u shpreh se nuk ka se përse të kërkojë ndjesë për diçka që nuk është e vërtetë.

Rama në “X”:
Të kërkoj falje?!

Të kërkoj falje pas një gënjeshtre krejtësisht të neveritshme, kur gjithçka është në video dhe një duzinë gazetarësh dhe kameramanësh gjithashtu, janë dëshmitarë okularë të së vërtetës së thjeshtë se jo vetëm që s’kishte agresion, por të gjitha pyetjeve iu përgjigjja me durim (pavarësisht disa ndërprerjeve joetike) në një bisedë të zakonshme me shtypin dhe u largova pas një lamtumire miqësore?!
Jo vetëm që nuk kam asnjë ndjesë për të kërkuar, por hedh poshtë të gjithë karakterizimin e “liderit që ka treguar përbuzje ndaj shtypit kritik”, që thjesht nuk është e vërtetë sepse tani ka shumë vite që nuk angazhohem në debate të nxehta me gazetarë:-)
Përkundrazi, unë u theksoj gazetarëve të shumtë si atyre etikë, si atyre joetikë, disponueshmërinë time të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve, megjithëse kategoria e dytë përdoret për ndërprerje të vazhdueshme të përgjigjeve, qartësisht jashtë çdo standardi.
Shumë keq që një “denoncim” i tillë nuk nderon vlerat e lirisë dhe as të vërtetën, dhe nuk respekton viktimat e vërteta të agresioneve të pushtetit ndaj grave gazetare në mbarë botën.
Sa i përket sjelljes “të pafalshme”, si një ish-pionier i shtypit të lirë në vendin tim, kur fjala ime e lirë rrezikonte dhe jetën time, ndiej detyrimin të them se organizatat e shtypit duhet të kujdesen për të mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë dhe integritetit gazetaresk jo vetëm kur këto kërcënohen nga pushteti, por edhe kur minohen nga anëtarët e komunitetit të shtypit. Përndryshe, shoqëritë tona demokratike do të jenë në telash.

Advertisement