Connect with us

Bota

India dhe Pakistani shkëmbejnë sulme me artileri të rëndë

Ushtarët indianë dhe ata pakistanezë kanë shkëmbyer sulme të mëdha artilerie përgjatë kufirit në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit gjatë natës mes së enjten dhe premtes, duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë civilëve.

Përshkallëzimi mes dy vendeve fqinje vjen pas një sulmi ndaj turistëve në pjesën e kontrolluar nga India në Kashmir.

Në Pakistan, një natë e pazakontë me shkëmbime të sulmeve të ashpra shkaktoi vdekjen e katër civilëve dhe plagosjen e 12 të tjerëve në afërsi të Vijës së Kontrollit që ndan Kashmirin, tha zyrtari lokal i policisë, Adeel Ahmad.

Banorët e zonave kufitare thanë se të shtënat vazhduan deri në mëngjesin e së premtes.

“Jemi mësuar me shkëmbime zjarri në kufi, por ajo që ndodhi mbrëmë ishte jashtë çdo norme”, tha Mohammad Shakil, një banor i sektorit Chakothi, pranë kufirit.

Në anën indiane, zyrtarë ushtarakë thanë se trupat pakistaneze i bombarduan me artileri, mortaja dhe armë zjarri postet e tyre në disa zona. Forcat indiane u kundërpërgjigjën me intensitet, duke shkaktuar përleshje të ashpra deri në agim.

Në sektorin Uri të Indisë, një grua humbi jetën dhe dy civilë të tjerë u plagosën, sipas policisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave civile në Indi në 17 që nga dita e mërkurë.

Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.

Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.

Advertisement