Aktualitet
Inskenoi vdekjen e tij/ Davide Pecorelli pritet të ekstradohet: Jam i shqetësuar për 4 fëmijët e mi

Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vdekjen në Pukë, brenda disa ditësh do të ekstradohet në vendin tonë për të vuajtur dënimin. Vendimi është marrë nga ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio, pasi gjykata e Apelit e Perugias dha dritën jeshile për ekstradimin e biznesmenit në maj të vitit të kaluar.
Vetë Pecrolli ka deklaruar se po i bëhet një padrejtësi e madhe dhe se po trajtohet si një qytetar i dorës së dytë. Ai ka shprehur shqetësimin për katër fëmijët e tij të mitur dhe prindërit, të cilët njofton se i ka me aftësi të kufizuara.
“Vendimi i ministrit më befason. E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara. Po mendoj të mos apeloj në TAR të Lacios, duke qenë se probabiliteti i suksesit është i ulët. Preferoj të shkoj në Shqipëri”, ka thënë ai për ‘Il Messaggero Umbria’.
Mediat fqinje raportojnë se Pecorelli është martuar me një shtetase shqiptare, merret me mallra luksi dhe kërkon të marrë nënshtetësinë e vendit ballkanik. Biznesmeni do të merret në paraburgim nga Policia Shqiptare dhe do të transferohet në burg, ku mund të vendoset një dënim alternativ gjatë 48 orëve të para, në pritje të procesit të apelimit.
Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 4 vite burg italianin që inskenoj vdekjen e tij, Davide Pecorellin, sipërmarrësit nga Tiferno. Ai u shpall fajtor për “Mashtrim” në bashkëpunim, “Dhunimi i varreve” “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Në lidhje me rastin Prokuroria e Pukës kërkoi dënimin me 8 vite burg.
Si e inskenoi zhdukjen?
Davide Pecorelli u zhduk në janar të 2021 në qytetin e Pukës, ku një makinë që ishte marrë me qera prej tij, u gjet e djegur në një zonë të thellë, të pambuluar me kamera sigurie. Brenda makinës u gjetën dhe mbetje skeletore, që fillimisht u dyshua se i përkisnin biznesmenit.
Teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator 2021 Davide Pecorelli, u shfaq për mrekulli shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo. Më pas ai tronditi jo pak me historinë që tregoi, duke thënë se për 9 muaj, kur të gjithë e kishin shpallur të zhdukur, ai kishte qenë në kërkim të një thesari. Me itinerarin nga Rinasi drejt Shkodrës e më pas në Pukë ai humbi gjurmët duke djegur brenda automjetit një skelet të cilin rezulton se e ka marrë duke dëmtuar një varr në varrezat e Pukës.
Për disa javë ky u bë lajmi që shqetësoi hetuesit mes Italisë e Shqipërisë ku një grup i posaçëm zbarkoi në Pukë. Por teksa hetimet ishin në vijim, rezultoi se eshtrat e gjetura në automjetin e djegur model Skoda i përkisnin një tjetër ADN-je dhe jo pemës gjenetike të familjes Pecorelli.

