Sport
Interi me hap kampioni, fiton 0-2 kundër Atalantës dhe shkëputet në krye të renditjes

Në Bergamo ishte Interi që mposhti 0-2 vendasit e Atalantës dhe fitoi duelin zikaltër. Tanimë të besuarit e Simone Inzaghit shkëputen në krye të Serie A me tre pikë nga ndjekësit e Napolit, me këta të fundit që u ndalën nga Venezia. Përballja u zhbllokua në minutën e 54-t nga Carlos Augusto, teksa për suksesin mendoi edhe kapiteni Martinez që “vulosi” ndeshjen tre minuta nga fundi. Tanimë në krye të Serie A Interi numëron 64 pikë, tre më shumë se Napoli i vendit të dytë. Ndërkohë Atalanta mbetet në vendin e tretë.
Në këtë përballje Berat Gjimshiti luajti 75 minuta, ndërsa Asllani u fut vetëm në çastet e fundit për Interin. Vlen të theksohet se bergamaskët e mbyllën ndeshjen me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Ederson, teksa edhe Gasperini nuk e mbylli sfidën në stol, duke pasur të njëjtin fat. Të kuq edhe për Bastonin e Interit.
Juventusi katastrofë, drejtori Giuntoli: Vazhdojmë me Mottën, Champions League ende i mundur

Dy humbjet radhazi, ajo kundër Atalantës 0-4 dhe humbja 3-0 kundër Fiorentinës nuk e kanë vendosur në diskutim të ardhmen e Thiago Mottës në krye të stolit të Juventusit. Drejtori sportiv i “Zonjës”, Cristiano Giuntoli konfirmoi në stol trajnerin dhe tha se Liga e Kampionëve është ende e mundur, paçka dy ndeshjeve të fundit nën nivelin e klubit.
“Në këtë moment duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar, nga vështirësitë dilet kur jemi të gjithë bashkë. Ndjejmë shumë keqardhje, kemi bërë një vit me ulje-ngritje, por dy ndeshje kaq poshtë nivelit nuk i kishim bërë asnjëherë. Ndjejmë sigurisht shumë keqardhje, por jemi të bindur se mund t’ia dalim të gjithë bashkë.
Gjithmonë me Mottën? Sigurisht.
Çfarë nuk po funksionon në krahasim me objektivat? Nuk do të flisja për objektiva minimal apo maksimal. Jemi nisur nga një projekt në të cilin e dinim që do të kishte vështirësi, duke ulur rrogat e gjithçka tjetër. Nuk mund të mendojmë për asgjë tjetër përtej objektivit prioritar, që është kualiifkimi Champions League, është në mundësitë tona dhe duam ta arrijmë.
Duhet analizuar në mënyrë të kthjellët ajo që ndodhi në javët e fundit. Të mos harrojmë se pas ndeshjes me Veronën, mediat na cilësonin mes fituesve potencial të kampionatit. Duhet ekuilibër, nuk mund të shkohet nga maja në fund. Në ditët e ardhshme do të mundohemi, me mendjen e kthjellët, që të bëjmë përpara.
Pas një ndeshje të gabuar, skuadra deri tani kishte bërë mirë në atë pasardhëse. Është hera e parë që bllokohet për dy ndeshje radhazi. Në këto situata duhet të prekim të gjitha temat, në nivel taktik do të mendojë trajneri, ashtu si në aspektin psikologjik. Të gjithë bashkë duhet të japim një ndihmë për të rigjetur ekuilibrin për të cilin kemi nevojë”, tha Cristiano Giuntoli.
Juventusi është për turp, Fiorentina e ‘shkërmoq’ 3-0! Motta konfirmohet në stol (VIDEO)
Në “Artemio Franchi” Fiorentina fitoi 3-0 kundër Juventusit. Skuadra “Vjollcë” dominoi fillimin e takimit dhe gjeti dy gola të shpejtë me Gosens dhe Mandragora në minutat 15-të dhe 18-të. Juventusi u “hodh në tapet” pas këtij momenti dhe nuk mundi të reagonte. Për të “vulosur” gjithçka mendoi Gudmundsson në minutën e 53 me golin e tretë, teksa vlen për t’u përmendur se një ish si Fagioli dhuroi dy asiste. Fiore me 48 pikë ngjitet në vendin e tetë, ndërsa Juve me 52 pikë mbetet në pozitën e pestë. Pas humbjes 0-4 në Torino nga Atalanta, “Zonja e Vjetër” e pëson sërish, ndërsa trajneri Thiago Motta është konfirmuar në stol nga drejtori sportiv, Cristiano Giuntoli.

