Connect with us

Aktualitet

Investigimi/ “Ishte gjallë kur u dogj”

Ne shenjester/ Dokumentari
Edhe pse Isa Çopa doli nga zyra në orën 18:.10 të mbrëmjes, duket se ai ka pasur edhe një takim të fundit para se të zhdukej dhe të gjendej i vrarë. Por kush dyshohet se e vrau Isa Çopan dhe a u tradhtua ai?
Dhe pse dyshimet e grupit hetues, u ndalën te një personazh femër, me të cilën ai u takua vetëm pak momente para
se të zhdukej?

Personazh, që në vazhdim refuzoi të intervistohej nga grupi hetues, lidhur mbi rrethanat e këtij takimi.
Sipas policisë, njoftimi i parë për ekzistencën e një makine që po digjej, erdhi nga vetë banorë të zonës së Currilave në Durrës. Ku njëri prej tyre foli për një shpërthim të fuqishëm që kishte dëgjuar.
“Unë jam roje objekti, pranë vendit ku ndodhi ngjarja te ‘Porti i Gjermanit’ në Currila, në lagjen Nr. 1 në Durrës. Në orën 19.30 isha duke parë lajmet, kur dëgjova një shpërthim që vinte nga rruga e Kallmit dhe më pas një flakë që e shoqëroi këtë shpërthim.”, tha Ylli Muçaj. Siç e thamë, konstatimi nga grupi hetues në vendngjarje do të ishte i frikshëm.

Por ku ajo që po bënte lëmsh, ose ku një dorë e stërvitur mirë kishte pasur këtë qëllim, për ti dhënë tjetër dinamikë ngjarjes, ishte një bidon bosh, që ndodhej pranë makinës së shkrumbuar të viktimës. Bidon që del edhe në rrëfimin e mbesës së viktimës. E cila kishte dëshmuar para grupit hetues se Isa Çopa, kishte marrë nga banesa e saj në orët e pasdites, një bidon bosh, nga ku më pas ishte larguar me makinën e tij. Po ku duket se dikush kishte dashur ti jepte krimit nota idilike. Duke dashur të inskenojë një vetëvrasje të mundshme. Version që u hodh shpejt poshtë nga ekspertët e kriminalistikës.

 

Grupi hetues
Në funksion të hetimit, meqënëse viktima, Isa Çopa, kishte marrë një bidon 5 litra tek mbesa e tij dhe mendohet që ka marrë karburant në pikat e furnizimit, u morën deklarimet e disa prej këtyre punonjësve të pikave të karburantit brenda Portit Detar Durrës dhe në një pikë shitje jashtë saj. Nga këta persona rezultoi se viktima nuk njihej si emër dhe fytyrë.

 

Dhe po kështu nuk është furnizuar në asnjë prej këtyre pikave, mjeti i tij apo me bidon.
Por ndërkohë që kryenin këto kërkime, grupi hetues mundi të sigurojë një dëshmi me interes për hetimin.
Kjo ishte dëshmia e njërit prej punonjësve të pikave të furnizimit me karburant pranë zonës ku u gjet makina me trupin e djegur të Isa Çopas, i cili tregoi, se si në këtë pikë atë mbrëmje, vetëm një orë pasi Isa Çopa, rezultonte pa gjurmë, ishte shfaqur një person me një bidon. Që vinte nga zona e Currilave dhe që ishte kthyer po aty pas kishte mbushur bidonin me benzinë.

“Unë jam punonjës në pikën e furnizimit të ‘Hotel Aragosta’. Rreth orës 19.30 -20.30 nga rruga e Currilave erdhi një person rreth 45-50 vjeç me një ‘Golf 4’, ngjyrë blu, targën e të cilit nuk e fiksova.
Ky person më kërkoi që t’i hidhet në një bidon plastik 6 litrosh, 10 000 lekë benzinë.
Kur arriti shifra 9 200 lekë, ai më tha: ‘S’ka gjë, mos e mbush më’.
Pastaj më kërkoi që ta mbyll bidonin dhe t’ja vendos pas sediljes së pasme të mjetit të tij.
Më pas ky person u kthye me mjetin e tij andej nga erdhi, në zonën e Currilave.”, tha Elton Ibrahimi.

Gjatë bisedës së mëtejshme, punonjësi i karburantit tha se e njihte Isa Çopan. Pasi ai vinte shpesh të pinte kafe në hotel. Gjë që përjashtonte mundësinë që të kishte qenë ai vetë që të ishte furnizuar me benzinë.
Po sipas punonjësit të karburantit, personi që mbushi bidonin me benzinë nuk ishte nga Durrësi.
Pasi ai nuk e kishte parë më herët si fytyrë. Grupi hetues nuk kishte dyshime se ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje… Madje për ta bërë sa më të besueshëm këtë version autorët kishin lënë në makinën viktimës dhe kuti me prezervativë. Për t’i dhënë ngjarjes, tabllonë e një vetëvrasje si pasojë e një disfate fatale, të ndodhur në kushtet e një krimi pasioni, të ardhur pas një tronditje të fortë psikike.

Dosja
Nga ekspertët u konkludua se tek rrethi i kapeles në anën e majtë, ku ishte e dalë masa trunore së bashku me cipën e trurit, kishte infiltrime hemorragjike, të cilat provojnë faktin se dëmtimi, pra çarja e kafkës së kokës dhe dalja jashtë e masës trunore i ishte shkaktuar viktimës për së gjalli. Pra ai është vrarë nga autorët e kësaj ngjarje. Gjithashtu gjatë kqyrjes së rrugëve të frymëmarrjes u konstatua prezenca e blozës si dhe në egzaminimin toksikologjik të gjakut të marre nga trupi i kufomës së këtij shtetasi, u konstatua prania e monoksidit të karbonit në vlerën 43 përqind ç’ka vërteton se kufoma është djegur për së gjalli pasi ai ka thithur monoksidin e karbonit.

Por paralelisht me këtë ekspertim mjeko-ligjor, grupi hetues verifikoi edhe mesazhin që Isa Çopa presupozohej, ti kishte çuar djalit të tij, pasditen e ngjarjes.

Dosja Hetimore
Me qëllim përcaktimin e faktit nëse mesazhi i cili i është dërguar djalit të viktimës, Redianit, ishte shkruar nga shtetasi, Isa Çopa, apo ndonjë person tjetër u vendos kryerja e aktit të ekspertimit sintaktik, duke u krahasuar mesazhet e dërguara nga shtetasi Isa Çopa me atë të dërguar tek telefoni i djalit të tij ditën e ngjarjes. Nga akti i ekspertimit sintaktik Nr. 1246 datë 31 Janar 2013, nga ana e ekspertëve u konkludua se autorët e Sms kanë karakteristika të ndryshme drejtshkrimore: shkalla e ruajtjes, shfaqjes apo përdorimit të rregullave drejtshkrimore, mënyra e ndërtimit të fjalive si dhe në përdorimin e dialektilizmave.

Të përbashkëta autorët kane njohjen e përdorimit të rregullave drejtshkrimore, ruajnë linjën logjike të përmbajtjes së tekstit dhe paraqiten si persona të arsimuar. Në këtë përfundim del se Sms-të objekt ekspertimi nuk duken të jenë përpiluar nga i njëjti profil personi. Po kështu grupi hetues përjashtoi mundësinë që arma që qëlloi Isa Çopan, të ishte e njëjtë me atë të përdorur nga punonjës të Shërbimit Informativ. Apo nga ato që ishin përdorur në ngjarje të tjera.

Dosja Hetimore
Gjatë hetimeve u krye akti i ekspertimit balistik Nr 1204 datë 31 Janar 2013 i krahasimit të dy gëzhojave të gjendura në vendngjarje. Nga ana e ekspertëve u arrit në përfundimin se janë gëzhoja që përdoren nga pistoletat “Makarov’ të kalibrit 9mm*18mm.

Këto dy gëzhoja nuk janë qitur nga armët të cilat janë të regjistruar në sistemin informatik të kërkimit dhe identifikimit me anë të gjurmëve të lëna nga mekanizmat e armës në gëzhojë.
Gjithashtu gjatë hetimeve u kqyrën dhe u morën në cilësinë e provës materiale gëzhojat e qitura nga armët e tipit pistoletë ‘Makarov’ të cilat disponoheshin nga punonjës të SHISH-Durrës. Më pas u vendos kryerja e aktit të ekspertimit balistik krahasues me gëzhojën e gjetur gjatë rikqyrjes së vendit të ngjarjes.
Nga krahasimi i këtyre gëzhojave dhe me aktet e ekspertimit dhe me gëzhojën e gjetur gjatë rikqyrjes së vendit të ngjarjes, u përjashtua mundësia që të jenë qitur nga e njëjta armë. Krahas këtyre verifikimeve grupi hetues, analizoi edhe pamjet filmike, të atij që quhet itinerari i fundit i viktimës. Verifikim, që u krye pas administrimit të të dhënave të kompanive celulare. Ku lëvizja e fundit e Isa Çopas, rezultonte të ishte nga godina e SHISH drejt Currilave.

Dosja Hetimore
Nga administrimi i të dhënave të kompanive celulare rezulton që viktima ditën e ngjarjes ka pasur një lëvizje nga institucioni i tij, pra godina e SHISH-Durrës deri në Currila-Durrës, aty ku dhe është gjendur i djegur në automjetin e tij.

Për këtë arsye është vendosur marrja e të gjitha pamjeve filmike të cilat janë regjistruar nga kamerat të cilat ndodhen në këtë segment rrugor në vende të ndryshme. Nga pamjet e marra, me interes janë ato të marra nga kamerat e Admiral Club ‘Kazino 777’ që ndodhet në lagjen Nr. 1 Durrës, nga ku rezulton që në orën 18.20 në rrugën “Taulantia” është parë të lëvizë për në drejtim për nga Hotel ‘Aragosta’ një mjet që mendohet se është i viktimës. Ky material është dërguar për ekspertim tekniko-kompjuterik, por nga ana e ekspertëve u arrit në përfundimin që ata nuk mund të kryejnë ekspertimin perkatës. Por ajo që do ta bindte edhe më shumë grupin hetues që Isa Çopa nuk ishte vetëvrarë, siç autorët kishin dashur të inskenonin ngjarjen, ishte zbulimi që bëri grupi i ekspertëve mjeko-ligjorë.

Dosja Hetimore
Fraktura e cila është konstatuar nga ana e ekspertëve në kokën e viktimës dhe konkretisht në rrethin e kapeles ana e majtë e saj; frakturë e cila është shkaktuar kur viktima ka qenë gjallë; fakti që viktima ka thithur monoksid karboni, prezencë e vërejtur në rrugët e frymëmarrjes; kafshimi i gjuhës nga vetë viktima, pozicioni në të cilin ai është gjetur; duart e vendosura njëra mbi tjetrën, dhe më pas djegia e njëtrajtshme e automjetit dhe viktimës, çojnë në përfundimin se Isa Çopa është vrarë, pasi është e pamundur që një person i cili është duke u vetëdjegur të mos reagojë por të qëndrojë në vend i palëvizur, me duart e vendosura njëra mbi tjetrën.
Do të ishte kjo ekspertizë mjeko-ligjore, por edhe rrethanat e tjera që cituam më sipër, që çuan grupin hetues, në bindjen se Isa Çopa ishte vrarë, dhe jo vetëvrarë.

Ndërkohë që dëshmia e një peshkatari, do të krijonte bindjen e plotë te grupi hetues, se një makinë e dytë kishte qëndruar dhe ishte larguar nga vendngjarja.

Dosja Hetimore
Në deklarimet e tij shtetasi Besnik Sejko ka deklaruar se ai është peshkatar dhe ditën e ngjarjes ka parë një mjet që ka ecur në drejtim të Currilave-Durrës. Makina ka fikur dritat dhe ka qëndruar rreth 15 minuta. Më pas është kthyer mbrapsht dhe është larguar, derisa peshkatari nuk e ka parë më. Rreth orës 19:30 në vendin e ish-Repartit Ushtarak, dëshmitari thotë se ka parë zjarr. Por kush ishin personat që e vranë Isa Çopan, kreun e kundërzbulimit në Drejtorinë e Shërbimit Informativ në Durrës?

Çfarë kishte zbuluar ai që çoi në urdhrin për eliminimit të tij?
Pse hetimet për vrasjen e tij, u zvarritën në kohë?
Cila është femra që del në dosje, që nuk pranoi asnjëherë të përballej me drejtësinë?
Dhe a ishte largimi i saj atë mbrëmje në Greqi, i rastësishëm. Sipas dosjes hetimore të siguruar ‘Në shënjestër’, fakti që viktima ishte rikthyer në institucion në orën 17.30 dhe kishte dalë prej aty në orën 18:10, ku i kishte komunikuar bashkëshortes së tij se do të kthehej në zyrë pasi i kishte dalë një punë.
Faktin që ai kishte marrë me vete dhe pistoletën, veprim të cilin ai nuk e kishte kryer më parë tregojnë sipas grupi hetues se Isa Çopa ishte vrarë për shkaqe që kishin lidhje me detyrën e tij. Si drejtues i degës së kundërspiunazhit të SHISH në Durrës.

Por cili është roli misterioz i gruas që Isa Çopa takoi përpara shtëpisë së tij, pasditen e ngjarjes, para se të gjendej i vrarë? Sipas grupi hetues, kjo grua e njohur si Eglantina D. rezulton të jetë personi i fundit që e ka takuar Isa Çopan. Gjë të cilën ajo e ka pranuar edhe në deklarimet e para që ka bërë përpara grupit hetues.
Ku është shprehur, se Isa Çopan, e ka takuar, ditën e ngjarjes, rreth orës 16.30-17.00, në rrugën pranë shtëpisë së tij. “Ditën e ngjarjes unë e takova Isain rreth orës 16.30-17.00. pranë rrugës së shtëpisë së tij. Bisedova me të dhe ndërruam numrat e telefonit, ku i thashë që të më bënte zile me qëllim që të kisha numrin e tij.”, tha Eglantina D.

Nuk dihet ende se në ç’rrethana u krye takimi i shkurtër midis Eglantina D. dhe Isa Çopas. Dhe cila ishte njohja e tyre e mëparshme. Apo cila ishte arsyeja që shkëmbyen numrat. Dyshimet e prokurorisë u ngritën pas lëvizjeve të fundit që Eglantina D. kishte bërë para dhe pas ngjarjes. Ku mbrëmjen ndërsa zhvillohej krimi, Eglantina dhe kolegë të tjerë të Çopas të cilët jetonin dhe punonin në Durrës, kishin vendosur të takoheshin në Tiranë.
Ndërkohë që ish-kolegua e Çopas, po këtë mbrëmje rezulton të jetë nisur për në Fier, ku rrugës në autostradë u ritakua sërish me dy zyrtarët e SHISH, kur ishte ndarë vetëm pak minuta më parë me ta.

Po sipas dosjes hetimore vetëm një ditë pas vrasjes së Isa Çopas, Eglantina D. udhëtoi me aurobus drejt Greqisë. “Ditën e vrasjes së Isa Çopas, rreth orës 19.00, jam takuar së bashku me Eglantina D. dhe Sokol P. te lokali ‘Argjiro’ në Tiranë, pranë stadiumit ‘Dinamo’. Ky takim u krye me qëllim marrjen në punë të Eglantinës si sekretare. Pasi u çuam nga darka, unë dhe Sokoli u nisëm për në Durrës, ndërsa Eglantina për në Fier. Gjatë kësaj kohe ne u takuam te Bistroteka në Goxhas në autostradë, ku i dhamë Eglantinës, dokumentet e një apartamenti që Sokoli donte të shiste në Sarandë.”, tha A. H.

Sikundër e thamë edhe më lart, Eglantina udhëtoi drejt Greqisë të nesërmen e takimit me Isa Çopan.
Udhëtim që u konfirmua edhe nga i afërmi i saj, që në këtë rast ishte edhe bashkudhëtari i saj, i cili tregoi për grupin hetues, se gjatë kohës që ishin në autobus, ajo mori lajmin nga nëna e saj, se një punonjës i SHISH ishte gjetur i vrarë.

Dosja Hetimore
Duke qenë se ne sistemin TIMS, shtetasja Eglantina D. rezulton se ka kaluar në të njëjtin orar me shtetasin Bilal Lamaj, si dhe duke qenë se në deklarimin e saj ajo ka sqaruar se ka udhëtuar me të drejt Greqisë, ky i fundit u pyet në cilësinë e personit që tregon rrethanat e hetimit. Lamaj ka sqaruar se e njeh Eglantinën nga vëllai i saj Lorenci. Ai thotë se ka shkuar me Eglantinën vetëm një herë në Greqi. Rrugës e ka telefonuar nëna e saj e cila i ka thënë që kishin vrarë një punonjës të SHISH dhe asaj i kishte ardhur keq.

Sipas Lamaj ata kanë qëndruar tek Lorenco rreth 3- 4 ditë dhe më pas janë kthyer të dy së bashku në Ballsh.
Sipas grupi hetues, Eglantina D, u kërkua të merrej në pyetje në vitin 2012, lidhur mbi rrethanat e ngjarjes së vrasjes së Isa Çopas. Por ajo refuzoi të paraqitej në prokurori. Ndaj për këtë arsye ndaj saj u vendos masa e sigurimit të ‘Ndalimit të daljes jashtë shtetit’, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Durrës. Ndërkohë që emri i saj u regjistrua si person nën hetim per veprën penale te parashikuar nga neni 310 i K.Penal, për mosparaqitje të dëshmitarit.

Ndërkohë që grupi hetues vendosi këqyrjen e përgjimit të komunikimeve të telefonit të saj celular. Si edhe iu sekuestruan tre USB, një aparat fotografik dhe dy telefona celularë. Ku nga ekspertimet përkatëse rezultoi se Eglantina D. ishte e punësuar në një shoqëri ndërtimi, në pronësi të djalit të xhaxhait të saj ku iu gjetën edhe shumë kontrata TIP, të ruajtura në mënyrë elektronike. Ndërkohë që nga aparati fotografik nuk rezultuan të dhëna që mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes.

Edhe pse kanë kaluar plot 11 vite nga vrasja makabre e drejtuesit të lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror, ende edhe sot shteti shqiptar, ai që duhet të ishte më interesuari për të zbardhur këtë krim, nuk ka ende një emër se kush janë autorët e kësaj ngjarje. Ndërkohë që nga viti 2013, edhe pse çështja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duket se dosja nuk është vënë në dinjitetin që i takon. Ndërsa e vetmja e pandehur e kësaj dosje, Eglantina D, personi i fundit që takoi në të gjallë viktimën Isa Çopa, në vitin 2014, fitoi nga amnistia e cila parashikonte që të gjithë personat që ishin në ndjekje penale deri më 31 dhjetor 2013, për vepra që parashikonin maksimumin e dënimit deri në 2 vjet burgim, do të faleshin. Çka duket se tani, duhet një rrethanë tjetër që kjo dosje të mos mbetet e pluhurosur, por të shkundet edhe njëherë nga hiri i kohës, dhe ti jepet drejtësi, ashtu sikur e meriton rroba e një zyrtari, siç ishte edhe Isa Çopa.

Advertisement