Connect with us

Ekonomi

Investimi 2.2 Milionë Euro Impakt në Mbrojtjen e Mbi 5 Mijë Ha Pyje

Published

on

Më shumë se gjysma e sipërfaqes së Shqipërisë është pyje dhe kullota.

Mbrojtja dhe shtimi i tyre, jo vetëm përmirëson burimet natyrore, por zbut efektet e ndyshimeve klimatike, hap vende të reja pune dhe gjeneron të ardhura për banorët e zonave rurale.

Një financim i Bankës Botërore, GEF dhe SIDA-s suedeze me vlerë 2.2 milionë euro ka mbështetur me grante shoqatat e pyjeve që të menaxhojnë më mire pyjet e kullotat, mbrojnë mjedisin dhe rrisin sipërfaqet e gjelbra.

Këto investimet kanë forcuar në të njëjtën kohë kapacitetet vendore si dhe kanë fuqizuar ekonomikisht edhe gratë.

Sot në 17 tetor, Ditën e Luftës kundër Varfërisë këto projekte marrin një vlerë të veçantë me kontributin e shumëfishtë që sjellin në jetën e komuniteteve dhe përmirësimin e burimeve natyrore.

Erion Estrefi, përfaqësues i Ministrisë së Turizmit shprehet “Qeveria shqiptare me procesin e decentralizimit rreth 80% e sipërfaqes pyjore dhe kullosore të vendit janë transferuar në pronësi të bashkive. Me mbështetjen e këtij projekti është përmirësuar menaxhimi dhe janë shtuar sipërfaqet pyjore”.

Menaxhimi i Pyjeve

“Kjo është bërë e mundur përmes mbështetjes me grande nga projekti për fermerët dhe  shoqatat e përdoruesve të pyjeve dhe kullotave të cilët nuk e kanë ndalur punën e tyre edhe gjatë periudhës së pandemisë”- tha Estrefi.

Projekti i menaxhimit të pyjeve nga bashkitë ka një rol të rëndësishëm. Bashkia jep mbështetje për projektet e shoqatave që aplikojnë për grande. Kur flitet për shtimin e pyjeve kemi parasysh për nisma që bëjnë të mundur ndalimin e erozionit dhe shtimin e sipërfaqeve pyjore. Nxitja e këtyre projekteve ka një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e fondit pyjorë dhe rritjen e punësimit.

Konkretisht shoqata e pyjeve në Elbasan është përfituese dy granteve nga ky projekt. Me mbështetjen financiare janë shtuar sipërfaqet e mbjella me fidanë të rinj pyjor në zonën e Bradasheshit dhe është ndërtuar prita në luginën e lumit Shkumbin që mbrojnë nga erozioni shkollën, rrugën automobilistike, 5 ha tokë dhe 35 shtëpi banimi.

Projekti 

Projekti ka ndërhyrë në zonat e thella malore ku 70-80% e popullsisë janë të vetëpunësuar dhe me të ardhura  të pakta nga emigracioni ndaj këto investime kanë rikthyer tek komuniteti shpresën për rritjen e mundësive të punësimit dhe rritjen e të ardhurave.

Ky projekt i ka dhënë prioritet angazhimit të grave në sipërmarrje duke shënuar një hap të rëndësishëm në angazhimin e gruas në sektorin e pyjeve që nuk ka qenë më parë.

386 ha me pyje të reja janë shtuar nga ky projekt, ndërsa 4234 ha të sipërfaqes pyjore dhe 533 ha kullota janë mbrojtur nga dëmtimet e ndryshme./ATSH

Ekonomi

Si politikanët po tërheqin yjet e medias sociale

Published

on

By

Politikanët e Amerikës Latine përpiqen të tërheqin yjet e mediave sociale, shpesh në mënyrë të pahijshme. Votuesit në rajon i duan influencuesit. Por është e vështirë të bindësh njerëzit të duan politikanët, shkruan The Economist

Vitin e kaluar, tre muaj pasi bashkëshorti i saj ra nga ballkoni i hotelit dhe vdiq, Deolane Bezerra, një avokate penale 33-vjeçare, nisi një reality show në YouTube.

Tragjedia e saj personale shkaktoi shumë publicitet, pasi i shoqi, MC Kevin, ishte këngëtar i njohur dhe rrethanat e vdekjes së tij përfshinin alkoolin dhe tradhtinë bashkëshortore, të raportuara me hollësi nga mediat.

Shumë brazilianë donin të ndiqnin jetën e përditshme të zonjës Bezerra dhe motrave të saj. Sot ajo ka më shumë se 14 milionë ndjekës në Instagram, aplikacioni për ndarjen e fotove dhe videove.

Ajo ka pranuar se kërkon nga 400,000 realë (73,000 dollarë) në 1.8 milionë realë, për kontratat e reklamimit (The Economist u përpoq të intervistonte zonjën Bezerra, por ajo nuk u reagoi).

Kjo do ta bënte një nga personazhet e famshëm dixhitalë më të paguar në Brazil. Së fundmi, ajo ishte ftuar për të takuar Luiz Inácio Lula da Silva, i njohur si Lula, ish-presidenti nga Partia e Punëtorëve (PT), i cili pritet të fitojë postin e vjetër në zgjedhjet e tetorit.

“Gëzohem që e di se gjithçka që shpresoj për Brazilin, është në manifestin tuaj”, postoi ajo më pas, së bashku me një foto të tij, duke e puthur në ballë. (Më 14 korrik, policia bastisi shtëpinë e saj në një hetim për pastrim parash. Ajo mohon keqbërjen.)

Zonja Bezerra është një influencuese online, pra një personazh i famshëm në internet që i bind ndjekësit të blejnë gjëra. Influencuesit janë më me ndikim në Amerikën Latine sesa në rajone të tjera, gjë që shpjegon se pse të gjithë, nga politikanët te prodhuesit e parfumeve, po përpiqen të fitojnë miratimin e tyre.

 

 

Bota e Selfie

Një sondazh nga agjencia mediatike, We Are Social, tregon se 22% e përdoruesve të internetit në botë, ndjekin nga një influencues (megjithëse përkufizimet e influencuesit ndryshojnë). Në Brazil, kjo shifër është 44%.

Në Argjentinë dhe në Kolumbi, është rreth një e treta (shih grafikun). Sipas një sondazhi të konsumatorëve të kryer nga kompania e të dhënave, Statista, dy të pestat e brazilianëve thonë se kanë blerë një produkt për shkak të një influencuesi, përqindja më e lartë midis 56 vendeve të anketuara.

Nielsen, një firmë e kërkimit të tregut, vlerëson se Brazili ka 500,000 influencues potencialë në mediat sociale (të cilët i përkufizon si persona me më shumë se 10,000 ndjekës). Kjo është më shumë se kudo tjetër.

Influencuesit e Amerikës Latine mund të jenë njerëz të zakonshëm, si dhe të famshëm. Zonja Bezerra nuk ishte shumë e njohur deri vitin e kaluar. Launchmetrics, firmë analitike, është përpjekur të masë se sa vlen miratimi i një influencuesi, në krahasim me koston e montimit të një fushate reklamimi konvencionale, që do të nxiste të njëjtën shkallë angazhimi te publiku.

Firma zbuloi se, kur Jean Carlo León, influencues kolumbian 25-vjeçar, ngarkoi një postim në Instagram për Prada-n, markë italiane e modës, ai krijoi publicitet me vlerë 620,000 dollarë gjatë gjashtë muajve.

Kjo mund të tingëllojë e dobët po ta krahasosh me Kendall Jenner, influencuese dhe modele amerikane, e cila gjeneroi gjashtë herë më shumë publicitet (3.7 milionë dollarë) me një postim në Instagram për Prada-n, gjatë së njëjtës periudhë. Por Jenner ka 250 milionë ndjekës, rreth 40 herë më shumë se zoti León.

Amerika Latine e etur për mediat sociale

Rajoni i Amerikës Latine mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm ndaj influencuesve, sepse amerikanët latinë janë veçanërisht të etur për mediat sociale. Kolumbianët, brazilianët, argjentinasit dhe meksikanët, vlerësohet se shpenzojnë mesatarisht tre orë e gjysmë në ditë në mediat sociale, një orë më shumë se mesatarja globale.

Argjentinasit që përdorin Instagram në një smartphone Android, shpenzojnë 17 orë në aplikacion çdo muaj. Në të kundërt, amerikanët me një smartphone Android, shpenzojnë më pak se tetë orë në aplikacion çdo muaj. Një sondazh vlerësoi se WhatsApp ishte shkarkuar në 99% të celularëve inteligjentë në Brazil.

Influencuesit në botë shpesh i këshillojnë ndjekësit e tyre për të përmirësuar pamjen e jashtme, gjë që tashmë është bërë një biznes i madh në Amerikën Latine. Në Argjentinë, një nga siguruesit shëndetësorë më të mëdhenj privatë, ofron plane që përfshijnë nga një procedurë të kirurgjisë plastike në vit.

Brazili, ku zhvillohen 13% e operacioneve kozmetike me dëshirë në botë, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Kirurgjisë Plastike Estetike, filloi të ofronte ulje tatimore për operacionet kozmetike në vitin 2010. Një anëtar i shërbimit të të ardhurave, pretendonte se “operacionet kozmetike kanë të bëjnë edhe me shëndetin fizik dhe mendor”. Influencuesit online shpesh diskutojnë mbi procedurat kozmetike që kryejnë.

Të rinjtë u besojnë më shumë influencuesve sesa partive politike, thotë Camila Rocha, e cila shkroi një studim mbi rininë dhe demokracinë në Argjentinë, Brazil, Kolumbi dhe Meksikë. Javiera Mieres, influencuese kiliane e modës, mendon se për shkak se influencuesit postojnë online dhe flasin me fansat e tyre pothuajse çdo ditë, “njerëzit ndihen sikur po ndërveprojnë me një mik”. Kur flasin për politikë, ndjekësit e tyre i dëgjojnë.

Jair Bolsonaro, presidenti populist i Brazilit, shfrytëzoi mediat sociale për të fituar zgjedhjet në vitin 2018. Grupet pro-Bolsonaro shpenzuan me miliona dollarë duke pushtuar WhatsApp-in me biseda jo të këndshme për kundërshtarin e tij, Fernando Haddad nga partia e Lulës, PT. Në të kundërt, PT ka qenë më e ngadaltë në përqafimin e fushatës dixhitale.

Në prill, Lula postoi në Twitter se i kishin “kërkuar të rinovonte” praninë e tij në mediat sociale. Këtë postim e shoqëroi me një foto ku kishte pozuar me syze dielli rozë. Ai tha se do të hapte një llogari në TikTok dhe në Kwai, dy platforma të transmetimit të videove. Gjithashtu ai filloi të shoqërohet me influencues online.

Por influencuesit online mund të jenë aleatë të ndërlikuar. Më 13 korrik, Anitta, yll brazilian i muzikës pop, me 63 milionë ndjekës në Instagram, i dha një shtysë të befasishme fushatës së Lulës, duke postuar një foto të saj veshur me një kostum të kuq, e mbështetur në një shtyllë striptizmi, me logon e partisë së Lulës, të skalitur në pjesën e poshtme.

Ajo tha se nuk e mbështeste partinë PT, por se do të ripostonte mesazhe në mbështetje të Lulës në TikTok, Twitter dhe Instagram. Tre ditë më vonë, ajo përsëriti se nuk ishte anëtare e PT-së dhe e ndaloi partinë të përdorte imazhin e saj në fushata.

Politikanët gjithashtu rrezikojnë që të duken si budallenj. José Antonio Kast, një katolik i devotshëm, i cili kandidoi për të qenë president i Kilit vitin e kaluar, ftoi një influencuese të quajtur Daniella Chávez, për të kryesuar eventin e tij të fundit të fushatës. Kjo i çuditi disa nga mbështetësit e tij më të ngushtë.

Zonja Chávez është një modele e Playboy me një kanal në OnlyFans, një platformë abonimi provokuese, ku ajo poston video me mbishkrime të tilla, si: “Mezi pres t’ju tregoj se çfarë ka midis këmbëve të mia!”

Në mënyrë të ngjashme, në Argjentinë, presidenti Alberto Fernández ftoi në rezidencën e tij L-Gante-n, atëherë një këngëtar 21-vjeçar, pak para zgjedhjeve të ndërmjetme në nëntor.

Zoti Fernández ndoshta shpresonte se takimi i tyre do të tërhiqte votuesit e rinj në koalicionin e tij të majtë, për të cilin pretendon se u shërben të varfërve. Fatkeqësisht, L-Gante ka bërë tatuazh në fytyrë fjalën “i pasur”. Zoti Fernández u tall nga publiku.

Disa influencues nuk duan të postojnë për politikën, nga frika se mos humbasin para. Zonja Mieres në Kili më parë postonte video në mbështetje të Gabriel Boric, presidentit të ri të majtë. Por tani që është një influencuese me kohë të plotë, ajo e përmend politikën vetëm në Instagram, nëpër video që fshihen automatikisht pas 24 orësh.

“Asnjë influencues nuk dëshiron të ndërmarrë rrezikun e të qenët shumë politik, sepse përndryshe, markat nuk të punësojnë”, thotë ajo. Luísa Sonza, këngëtare braziliane, kohët e fundit pohoi se markat po bojkotonin ata që denoncuan zotin Bolsonaro.

Ndoshta për shkak të vështirësisë për të bindur influencuesit, disa politikanë kanë bërë përpjekje vetë. Në zgjedhjet presidenciale të Kolumbisë në qershor, Rodolfo Hernández, kandidati 77-vjeçar, pothuajse fitoi duke postuar në TikTok, se slogani i tij ishte “i vjetër, por i shijshëm”. Ai arriti mbi 5 milionë pëlqime. Kaq nuk mjaftoi për t’u zgjedhur, por arriti shumë pranë fitores./ Përktheu: Lira Muça

Continue Reading

Ekonomi

Rritja e interesave, si mund t’i ndryshojë investimet

Published

on

By

Rritja e interesave, si mund t’i ndryshojë investimet e shqiptarëve?

Në vitet e fundit, normat e ulëta të interesit kanë qenë ndër faktorët që kanë nxitur rritje të investimeve në tregun e pronave dhe një cikël të ri të rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme. Tashmë, kthimi i një cikli rritës të normave të interesit mund t’i bëjë më tërheqëse investimet financiare.

Tregjet financiare në të gjithë botën, që nga fundi i vitit të kaluar, po përballen me ndryshimin e shpejtë të normave të interesit. Pas një periudhe të gjatë të normave të ulëta të interesit, deri në nivelet minimale historike, ato iu rikthyen një rritje të shpejtë, të përcaktuar kryesisht nga gjallërimi pas shumë vitesh i presioneve inflacioniste.

Fillimisht, ky fenomen u shkaktua nga vështirësitë në zinxhirin e furnizimit dhe pamundësisë së ofertës për t’iu përgjigjur rimëkëmbjes së shpejtë të kërkesës, pas daljes nga pandemia.

Në shkurt të këtij viti, sulmi i Rusisë mbi Ukrainën i theksoi edhe më shumë trysnitë inflacioniste dhe pasiguritë për ekonominë botërore dhe sidomos për atë europiane, më të ekspozuar ndaj efekteve të luftës.

Kjo tablo ka sjellë rritje edhe më të shpejtë të normave të interesit. Shumica e bankave qendrore kanë rritur normat e referencës dhe kjo është reflektuar në normat e interesit të produkteve financiare, sidomos në yield-et e instrumenteve të borxhit.

As Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo tendencë. Banka e Shqipërisë rriti tre herë normën bazë të interesit në pesë muajt e fundit, duke e çuar nga 0.5%, në 1.75%.

Kjo lëvizje është pasqyruar shpejt në tregun primar të titujve të qeverisë shqiptare, me rritje të shpejtë të yield-eve për të gjitha instrumentet. Përcjellja në normat e interesit të depozitave dhe kredive bankare është ende në një fazë fillestare, por pritet të bëhet gradualisht e prekshme, nëse nuk do të ketë frenime të papritura në kahun shtrëngues të politikës monetare.

Rritja e normave të interesit sjell ndryshime të ndjeshme edhe në tiparet e alternativave të investimit që ofron tregu për investitorët e vegjël dhe kryesisht, për individët. Epoka e gjatë e normave minimale të interesit tentoi të nxisë konsumin dhe investimet nëpërmjet çmimit të lirë të parasë, duke dhënë nga ana tjetër, më pak stimuj për të kursyer.

Në ekonomitë më të zhvilluara, periudhat e uljes së normave të interesit nxisin investimet në tregjet e kapitalit dhe përgjithësisht ndikojnë në rritjen e vlerës së aksioneve dhe instrumenteve të tjera të këtyre tregjeve.

Duke qenë se Shqipëria nuk ka një bursë aktive dhe mundësitë e investimit në tregjet ndërkombëtare janë të kufizuara, për arsye të ndryshme, cikli i normave të ulëta të interesit i tillë ka ndikuar në zgjerimin e investimit në prona apo asete të tjera fikse, për shkak të kredisë së lirë, por edhe leverdisë më të pakët për t’i mbajtur kursimet të investuara në instrumente financiarë tradicionalë.

Tendenca ka qenë më se e prekshme në vitet e fundit, edhe me rritjen e ofertës për kredi bankare. Ky është një nga faktorët që ka nxitur cikël të ri të rritjes së tregut të pasurive të paluajtshme në vend.

Rritja e normave të interesit përcjell në ekonomi stimuj të ndryshëm: rritja e çmimit të parasë do ta bëjë më të shtrenjtë huamarrjen, duke frenuar stimulin monetar për investim dhe konsum. Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit të produkteve dhe instrumenteve financiare e bën gradualisht më të leverdishëm kursimin dhe rrit kthimet nga investimet financiare.

Depozitat dominojnë edhe me interesa minimale

Depozitat bankare vazhdojnë të jenë produkti mbizotërues ku mbahen kursimet e individëve dhe as epoka e gjatë e normave minimale të interesit nuk e lëkundi shumë këtë prirje. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), depozitat përbëjnë rreth 84% të vlerës totale të investimeve financiare të individëve shqiptarë, me vlerë totale prej 1.15 trilionë lekësh.

Produkti i dytë më i parapëlqyer janë Bonot dhe Obligacionet e qeverisë shqiptare, që përbëjnë rreth 9% të investimeve financiare të individëve, për një shumë totale prej më shumë se 122 miliardë lekësh.

Vijojnë kuotat në fondet e investimit, me 78 miliardë lekë, ose 6% të totalit dhe obligacionet me ofertë private, me një total prej 10 miliardë lekësh, ose afërsisht 1% të totalit të investimeve të individëve.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë, AMF

Këto të dhëna tregojnë se, në shumicën dërrmuese, investitorët e vegjël shqiptarë vazhdojnë t’iu besojnë produkteve financiare më klasike dhe më të sigurta.

Depozitat bankare janë të siguruara me ligj deri në shumën e 2.5 milionë lekëve. Teknikisht, deri në këtë shumë, vendosja e parave në bankë është një investim me rrezik 0. Vitin e kaluar, depozitat e individëve u rritën me 8%, pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit. Depozitat kanë vazhduar të rriten, pavarësisht se normat e interesit ngelën në nivele shumë të ulëta.

Për depozitat me afat të individëve në Lekë, norma mesatare e interesit në fund të vitit 2021 ishte 0.67%, me rritje të lehtë nga niveli prej 0.59% i një viti më parë.

Në pjesën e parë të vitit 2022, megjithatë, duket se ka një tendencë më të prekshme në rritje. Në muajin maj, interesi mesatar i depozitave të reja me afat arriti në 1%, me një interval që fillon nga 0.75% për depozitat më të përdorura, ato 12-mujore, deri në 2.83% për depozitat me maturitet 5-vjeçar.

Për monedhën Euro, normat e interesit janë edhe më të ulëta, me një mesatare prej 0.53% për të gjitha depozitat me afat. Normat e interesit fillojnë nga 0.4% për afatin 12-mujor, deri në 2.33% për depozitat me maturim 5-vjeçar. Pavarësisht normave më të ulëta të interesit, Euro ngelet dominuese në strukturën e depozitave bankare, me rreth 52% të totalit.

Monedha europiane ndoshta perceptohet më e besueshme nga publiku i gjerë, po të kemi parasysh edhe faktin që ekonomia shqiptare ka një shkallë të lartë euroizimi dhe shumica e aseteve afatgjata, duke filluar nga pasuritë e paluajtshme, kuotohen në Euro.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Obligacionet e qeverisë rriten

Letrat e borxhit të qeverisë dhe sidomos obligacionet kanë tërhequr interes në rritje mes investitorëve të vegjël në vitet e fundit. Epoka e gjatë e normave të ulëta të interesit të depozitave, që mbeten produkti dominues për mbajtjen e kursimeve të shqiptarëve, ka bërë që shumë investitorë të vegjël të drejtohen tek obligacionet, që kanë ofruar norma kthimi të kënaqshme, në raport me shkallën e ulët të rrezikut.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vitin e kaluar, individët investuan 15.7 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare.

Shuma e investuar në ankande nga individët këtë vit ka pësuar rënie të lehtë me 1.1% krahasuar me një vit më parë. Blerjet e bonove nga individët në tregun primar arritën vlerën e 9.2 miliardë lekëve, me rritje prej 2.3% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, investimet në obligacione pësuan rënie në vlerën e 6.5 miliardë lekëve, 5.4% më pak krahasuar me vitin 2020.

Rënia mund të jetë ndikuar edhe nga një tendencë në tkurrje e kthimeve vitin e kaluar. Kuponi i obligacioneve 10-vjeçare vitin e kaluar preku nivelin më të ulët historik, me 5%. Edhe obligacionet 7-vjeçare dhe 5-vjeçare ishin pranë niveleve më të ulëta historike, me norma kuponi përkatësisht 4.01% dhe 3.9%.

Rendimenti i obligacioneve në afatin e gjatë ka pësuar rënie të natyrshme, në përputhje me ciklin e normave të interesit, por ekspertët mendojnë se obligacionet e qeverisë shqiptare përgjithësisht kanë ofruar raport shumë të kënaqshëm mes përfitimit dhe rrezikut.

Kthesa në kahun e politikës monetare mund t’i bëjë këto instrumente edhe më tërheqëse. Banka e Shqipërisë e ka rritur dy herë normën bazë të interesit këtë vit, duke e çuar në 1.25%, nga niveli më i ulët historik prej 1% ku qëndronte deri në muajin mars të këtij viti.

Tregu i letrave të borxhit të qeverisë është segmenti i tregut ku sinjalet e politikës monetare reflektohen më shpejt dhe efektet nuk kanë munguar të ndihen. Prej muajit mars, yield-et janë në rritje të dukshme, si për instrumentet afatshkurtër, ashtu edhe për ato afatgjatë.

Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria shqiptare realizoi edhe emetimin e parë të obligacioneve me maturim 15-vjeçar, me qëllim testimin e tregut. Testimi rezultoi i suksesshëm dhe në pjesën e parë të këtij viti, kur Ministria e Financave realizoi edhe dy rihapje të ankandit.

Në rihapjen e dytë, në muajin maj, yield-i mesatar i ankandit rezultoi 6.9%, në rritje të ndjeshme nga yield-i prej 5.84% i rihapjes së parë që ishte zhvilluar në muajin shkurt dhe 5.88% që kishte yield-i i ankandit të parë të këtyre obligacioneve, i zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar.

Pjesëmarrja në ankandet e tregut primar bëhet përmes ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Aktualisht në Shqipëri ka 11 shoqëri komisionere për investimin në tituj, por pjesa dërrmuese e volumit të transaksioneve nga individët bëhet nga bankat tregtare e licencuara për këtë shërbim.

Investimi në obligacione është bërë gjithmonë nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar, ndërsa që nga fillimi i këtij viti, edhe investimi në bono bëhet vetëm nëpërmjet këtyre shoqërive, pasi Banka e Shqipërisë e ndërpreu ofrimin e këtij shërbimi për individët.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Fondet e investimit, ecuria pozitive e 2021 u përmbys nga rritja e yield-eve

Një dekadë më parë, Raiffeisen Bank hapi fondet e para të investimit nëpërmjet filialit të saj Raifefisen Invest. Në fakt, hapja e fondeve të investimit erdhi më shumë nga nevoja për të zgjidhur një problem të qeverisë shqiptare, sesa nga një trysni e mirëfilltë e tregut për të eksploruar instrumente të reja.

Grupi Raiffeisen urdhëroi bankën e saj shqiptare të ulte ekspozimin në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare, për shkak se normat e reja të Autoriteteve Mbikëqyrëse Europiane i klasifikuan të gjitha aktivet jashtë Eurozonës me koeficientë më të lartë rreziku, duke ndikuar negativisht treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit të grupeve bankare.

Për qeverinë shqiptare, tërheqja e Raiffeisen ishte një problem serioz, duke qenë se kjo bankë ishte financuesi më i madh i borxhit të brendshëm. Tërheqja e Raiffeisen do ta bënte shumë të vështirë financimin dhe rifinancimin e bonove dhe obligacioneve, duke sjellë rreziqe të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.

Për të zgjidhur këtë problem, Raiffeisen themeloi fondet e investimit, duke i orientuar aty një pjesë të madhe të depozituesve të vet. Më tej, tregu i fondeve të investimit u pasurua edhe me aktorë të tjerë dhe me fonde investimi në valutë të huaj.

Në fazën e parë, ato u rritën me ritme të shpejta, por në vitin 2015, arritën një pikë stanjacioni. Vetëm në vitin 2021, tregu dha disa sinjale rizgjimi dhe aktivet neto iu kthyen ritmeve dyshifrore të rritjes. Viti 2021 u karakterizua edhe nga përmirësimi i kthimeve nga fondet e investimit, si në Lek, ashtu edhe në valutë të huaj.

Fondet e investimit në Lek, me portofol të përqendruar në titujt e qeverisë shqiptare, në fund të vitit të kaluar ofruan kthime vjetore pranë nivelit 4.5%. Ndërkohë, fondi i investimit në aksione, WVP TOP Invest, arriti kthime deri në nivelin e 20.5%.

Megjithatë, në gjysmën e parë të këtij viti, rritja e normave të interesit në tregjet financiare ka dhënë ndikim të dukshëm negativ në kthimet e fondeve. Rritja e yield-eve ka zhvlerësuar instrumentet në portofolin e fondeve të investimit dhe në mesin e këtij viti, kthimet për fondet që investojnë në bono dhe obligacione kanë rënë pranë, ose poshtë nivelit zero.

Kjo situatë ka krijuar shqetësim mes klientëve të fondeve të investimit dhe shpjegimi i kësaj tendence është bërë një problem për shoqëritë administruese. Megjithatë, ekspertët e tregut mendojnë se fondet e investimit ngelen një alternativë e mirë në afatin e mesëm dhe të gjatë. Sipas tyre, investimi në instrumente me yield-e më të larta do të rrisë sërish kthimet e fondeve në një horizont disavjeçar.

Burimi: Shoqëritë administruese të fondeve

Fondet e investimit në Euro kanë luhatshmëri edhe më të lartë, duke pasur parasysh edhe se tregjet e huaja, ku këto fonde investojnë, kanë dinamizëm më të lartë, që rezulton në luhatje më të mëdha të normave të interesit. Tendenca rritëse e yield-eve ka dhënë ndikim edhe më të fortë negativ te fondet në Euro. Për shembull, fondi më i madh, Raiffeisen Invest Euro, në fund të muajit qershor raportonte kthim vjetor negativ, në masën -11.39%.

Kuotat në fondet e investimit, në shumicën e rasteve, janë instrumente të investimit likuid, anëtari mund të shesë kuotat dhe të dalë nga investimi në çdo kohë pa penalitete, duke tërhequr përfitimet e akumuluara. Ky është një avantazh në raport, për shembull, me depozitat bankare me afat.

Por, nga ana tjetër, fondet e investimit kanë luhatshmëri më të lartë, siç tregojnë shifrat e mësipërme. Për investitorët e interesuar për instrumente më të qëndrueshme, depozitat bankare, apo obligacionet me kupon fiks, mund të jenë alternativë më e përshtatshme.

Fondet e pensionit, më të qëndrueshme ndaj luhatjes së interesave

Paralelisht me fondet e investimit, në dekadën e fundit po njohin zhvillim të shpejtë edhe fondet e pensionit. Më shumë se investime, këto fonde janë kursime për moshën e tretë, por si instrumente financiare, ato ofrojnë kthime të kënaqshme, për të siguruar burime shtesë në moshën e tretë, duke kompensuar efektin e rënies së të ardhurave nga shkëputja e marrëdhënies së punës.

Edhe fondet e pensioneve, vitin e kaluar, vuajtën rënie të lehtë në kthimet nga investimi, tendencë e ngjashme me fondet e investimeve.

Në fund të vitit 2021, investimet e fondeve të pensioneve konsistonin 100% në bono dhe obligacione. Këto instrumente kanë nivel të ulët rreziku, gjë që, në afatin e gjatë, përkthehet edhe në kthime relativisht të ulëta nga investimi.

Fondi me kthimin më të lartë në fund të vitit 2021 ishte Raiffeisen Pension, me 4.44%, nga 4.35% që kishte qenë ky tregues një vit më parë. Kthimin e dytë më të lartë e raportoi fondi Sigal Pension, me 3.67%, nga 3.53% një vit më parë. Fondi Credins Pension raportoi kthim 3.15%, sërish në përmirësim nga niveli 2.85% i një viti më parë. Fondi më i ri në treg, Albsig Pension, në fund të vitit 2021 raportoi kthim vjetor nga investimi në masën 2.22%.

Fondet e pensionit janë më pak të ndikuara nga luhatjet afatshkurtra të normave të interesit në tregje, sepse ato përdorin një mënyrë të ndryshme kontabilizimi të instrumenteve financiare. Ndryshe nga fondet e investimit, ato nuk i vlerësojnë obligacionet në portofolin e tyre me vlerë të drejtë, por i mbajnë me kosto të amortizuar.

Për këtë arsye, luhatjet e kthimeve nga investimi në dy vitet e fundit, që kanë qenë mjaft të trazuara për ekonominë dhe tregjet, kanë qenë më të kufizuara.

Diferenca mund të vërehet edhe në muajt e parë të këtij viti. Ndërkohë që kthimet e fondeve të investimit po bien ndjeshëm, në fondet e pensioneve, kthimet vjetore janë në nivele më të qëndrueshme: dy prej fondeve, Sigal Pension dhe Albsig Pension, në fund të prillit raportonin rritje të mëtejshme krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa Raiffeisen Pension dhe Credins Pension, rënie të lehtë.

Në pjesën dërrmuese, portofoli i investimeve të fondeve të pensionit përbëhet nga obligacione të qeverisë shqiptare dhe kryesisht obligacione me afate të gjata maturimi.

 

Burimi: Shoqëritë administruese të fondeve

Obligacionet private vazhdojnë rritjen

Obligacionet me ofertë private ndoshta janë risia më e madhe e tregut financiar në dekadën e fundit. Përdorimi i këtyre instrumenteve u adoptua sidomos nga bankat, që kishin nevojë për t’i përdorur si element të kapitalit të tyre rregullator, për të mbështetur rritjen e mëtejshme. Obligacionet u përdorën më pas edhe nga kompani të tjera të sektorit financiar, por jo vetëm, me qëllim sigurimin e financimeve të nevojshme për aktivitetin e tyre.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, në fund të vitit 2021 arriti në mbi 10 miliardë lekë, ose thuajse 83 milionë euro. Gjatë një viti, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 25%.

Afërsisht, 53% e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga 50.5% që ishte pesha e tyre në fund të vitit 2020. Të detajuara sipas monedhave, 47.2% e obligacioneve private janë të emetuara në Lek, 46.5% e obligacioneve janë në Euro dhe 6.3% në Dollar Amerikan.

Në Shqipëri, ato kanë nisur të përdoren në fund të vitit 2011 dhe emetuesit kryesorë kanë qenë bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator.

Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur të bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, deri në një masë të caktuar. Ndërsa institucionet e tjera financiare e kanë zbatuar emetimin e obligacioneve si një formë për të siguruar financime, për të mbështetur aktivitetin kreditues.

Blerësit e këtyre instrumenteve kanë qenë zakonisht individët, por nuk kanë munguar edhe investitorë institucionalë, si për shembull kompani të sigurimeve. Deri tani, në tregun shqiptar të kapitaleve, emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, edhe për shkak të mungesës së një tregu të titujve.

Oferta publike do t’i bënte këto instrumente të tregtueshme dhe likuide, duke krijuar mundësinë e shitjes në çdo kohë ose përdorimin e tyre si kolateral financiar për marrjen e huave. Bursa ALSE është operative prej katër vjetësh, por aktiviteti i saj, deri tani, ka qenë i kufizuar në tregtimin e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare.

Në përgjithësi, obligacionet e kompanive private ofrojnë kthime ndjeshëm më të kënaqshme krahasuar me instrumentet e ngjashme financiare në monedhën përkatëse.

Për obligacionet me maturim 7-vjeçar në Lek, Alpet paguan një kupon prej 6.3%, ndërsa për të njëjtin afat maturimi, Credins Bank paguan kupon prej 5.5%.

Për obligacionet me ofertë private në Euro, kthimet janë më të ulëta, por sidoqoftë më të mira në raport me depozitat bankare. Për shembull, obligacionet me maturim 7-vjeçar të Credins Bank dhe Fibank mundësojnë kupon prej 3.5%, ndërsa emetimet e fundit të obligacioneve 7-vjeçare të Tirana Bank dhe Union Bank ofrojnë kupton fiks, në nivelin 3.3%.

Për një periudhë kur normat e interesit të depozitave kanë qenë shumë pranë zeros, kthimet mund të konsiderohen të kënaqshme. Në teori, instrumentet e borxhit të varur dhe të nënrenditur janë instrumente që bartin rrezik të konsiderueshëm për investitorin. Në rast të paaftësisë paguese të emetuesit, këto instrumente janë ndër të fundit në radhën e shlyerjes së detyrimeve.

Megjithatë, duke pasur parasysh se emetuesit e këtyre instrumenteve janë zakonisht bankat tregtare, institucione të mbikëqyrua dhe aktualisht me parametra të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti, për momentin raporti mes rrezikut dhe kthimit nga investimi duket i mirë.

Nga përvoja e deritanishme, vlera totale e emetimeve fillon zakonisht nga rreth 2 milionë euro, si në rastin e Union Bank dhe Fibank, 3.5 milionë euro në emetimin e fundit të Credins Bank dhe 5 milionë euro, për obligacionet e lëshuara nga Tirana Bank.

Duhet pasur parasysh se, për momentin, obligacionet e shoqërive tregtare janë një alternativë investimi e kufizuar për publikun e gjerë. Kur emetimi i obligacioneve bëhet me ofertë private, ligji parashikon që numri i blerësve të obligacioneve nuk mund të jetë më i madh se 100 – nëse tejkalohet kjo shifër, emetimi duhet të bëhet me ofertë publike.

Oferta private nënkupton se emetuesi nuk mund të bëjë njoftime apo shpallje publike: të gjitha kontaktet me blerësit eventualë duhet të kryhen privatisht. Për një blerës të interesuar, e vetmja mënyrë për të investuar do të ishte të shprehte interes pranë një subjekti emetues, në rast se ka informacion për një emetim të pritshëm në të ardhmen. Duke qenë se disa kompani po aplikojnë emetime të obligacioneve me një lloj rregullsie, kjo krijon disa hapësira për investitorë të interesuar që të blejnë këto instrumente.

Për shkak të numrit të kufizuar të investitorëve, bankat zakonisht priren të vendosin një shumë minimale investimi, që mund të mos jetë e arritshme për investitorët më të vegjël.

E vetmja mënyrë që ato të shndërrohen në një alternativë të mirëfilltë për publikun e gjerë do të ishte emetimi me ofertë publike dhe tregtimi në bursë. Oferta publike do t’i bënte ato instrumente potenciale investimi edhe për investitorë institucionalë, si fondet e investimit, që kanë shfaqur vazhdimisht interes për të investuar në to.

Nuk ka shenja të bursës

Kur bëhet fjalë për investime financiare, sigurisht që platforma kryesore ku ato kanalizohen në ekonomitë e zhvilluara janë tregjet e kapitalit. Në Shqipëri, një treg i tillë mungon ende.

Pas dështimit të projektit të Bursës së Tiranës, që prej vitit 2018 në Shqipëri ka nisur aktivitetin një bursë private (ALSE), me aksionere dy prej bankave tregtare në vend. Deri tani, tregtimi në ALSE është i kufizuar vetëm te bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare. Ende sot e kësaj dite, asnjë shoqëri private shqiptare nuk është regjistruar në bursë për të tregtuar titujt e saj të borxhit apo të kapitalit.

Institucioni financiar NOA është e vetmja shoqëri tregtare që e ka deklaruar publikisht synimin për të hyrë në Bursë, me qëllim emetimin e obligacioneve. Por, deri tani, qëllimi nuk është konkretizuar.

Me gjithë përpjekjet që po bëhen, ka pak shenja se Shqipëria mund të ketë treg funksional kapitali në të ardhmen e afërt. Në ekonominë tonë janë konsoliduar tashmë disa grupe të fuqishme biznesi. Rritja e tyre ka sjellë edhe një lloj zhvillimi në standardet e organizimit të brendshëm dhe të qeverisjes korporative, çka mund t’i afronte ato me kriteret e nevojshme për të tregtuar tituj të tyre në bursë.

Deri tani, megjithatë, bizneset e konsoliduara e kanë zgjidhur nevojën për financime, kryesisht nëpërmjet kredisë bankare dhe oferta për të mbështetur projektet nuk ka munguar.

Projektet e PPP-ve mund të kishin qenë një alternativë interesante për të eksploruar mundësitë e financimit nëpërmjet emetimit të titujve në bursë, por edhe në këtë rast, kontraktorët i kanë siguruar financimet e jashtme nëpërmjet kredive bankare. Tregtimi në bursë sjell edhe kërkesa shtesë që lidhen me procedurat, raportimet dhe transparencën, të cilat përkthehen në kosto për bizneset.

Bankat tregtare kanë qenë institucionet më të interesuara për emetimin e instrumenteve të borxhit, por për momentin duket se interesi i tyre do të mbetet kryesisht tek oferta private.

Në të shkuarën, qeveria shqiptare dha disa sinjale se do të nxiste zhvillimin e bursës, duke regjistruar në të disa kompani publike. Në vitin 2018, Kryeministri Rama paralajmëroi listimin në Bursë të një prej kompanive të grupit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por, prej atëherë, asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim.

Shumë ekspertë mendojnë se Shqipëria mund të jetë treg i vogël që të gjenerojë volume të mjaftueshme për të pasur një bursë eficiente dhe të qëndrueshme në kohë.

Në mungesë të një orientimi të mirëfilltë të bizneseve dhe mungesës së vullnetit të mirëfilltë nga qeveria, për ta nxitur tregun e kapitalit, një bursë funksionale nuk duket në horizontin e afërt.

 

Continue Reading

Aktualitet

Si të blini sigurimin e duhur për shtëpinë tuaj

Published

on

By

Rëndom bëjmë investime të mëdha për të blerë një banesë apo ndërtuar një shtëpi, ndërsa harrojmë ta sigurojmë atë!

Sigurimi i shtëpisë mundëson që për humbjet financiare të shkaktuara nga dëmtime të ndryshme t’ju kompensohen humbjet financiare dhe prona juaj të kthehet në gjendjen para ngjarjes.

Shqipëria është mjaft e ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe ndodhet në zonën e rrezikut sa i përket lëkundjeve sizmike, dukuri që nuk është në dorën tonë. Por ajo që ne mund të parandaloni, janë kostot financiare që le pas një tërmet, zjarr, përmbytje, stuhi etj.

Sigurimi i shtëpisë përfshin disa lloje mbulimi:

MBULIMIN E BANESËS: E gjithë ndërtesa dhe të gjitha punimet me mure e me dritare, duke përfshirë edhe dritaret e bravat, si dhe themelet e bodrumeve;

MBULIMIN E PASURIVE PERSONALE: Mobilje, orendi, pajisje…

Nga cilat rreziqe mund të sigurohet? 

Zjarri që nënkupton djegien me flakë të të mirave materiale, jashtë një vatre të përshtatshme, që mund të zgjerohet e të përhapet”;

Rrufeja që nënkupton shkëndinë elektrike të shkaktuar nga një rritje tensioni (volt) ose intesiteti (amper), si rrjedhojë e një ndryshimi të madh të një reje, o të një reje e ajrit përreth ose të tokës;

Eksplozioni që nënkupton zhvillimin e gazrave ose avujve me temperaturë të lartë e të tensioneve, shkaktuar nga reaksionet kimike, dhe zgjatet vetë me shpejtësi të madhe;

Rënie avionesh, pjesëve të tyre ose gjërave që transportohen nga to;

Tërmeti;

Përmbytja, shirat, breshëri;

Rredhja e tubacioneve të ujit të shkaktuara nga prishja e tubacioneve nga i ftohti ose mbipresioni i ujit;

Mbingarkesa me dëborë që nënkupton rënien e plotë ose të pjesshme e çatisë ose të mure të shkaktuara nga mbingarkesa me bore);

Vjedhja;

Përgjegjësinë ndaj Palëve të treta (dëme që i shkaktoni palëve të treta si komshinj ose të afërm që mund të jenë të pranishëm gjatë një aksidenti brenda shtëpisë tuaj).

A është një policë sigurimi e shtëpisë më e lirë, më e mirë?

Kur vjen fjala për blerjen e sigurimit të shtëpisë, a duhet të zgjidhni cilëndo kompani që ju del përpara me çmimin më të ulët të sigurimit të shtëpisë?

Kur ne shkojmë në një dyqan rrobash, është e lehtë të krahasojmë ndërmjet një trikoje kashmiri kundrejt një trikoje me poliestër, por si mund t’i krahasojmë policat e sigurimit me cilësi të lartë, veçanërisht kur ka kaq shumë kompani që ofrojnë sigurimin e shtëpisë nga të cilat ju mund të zgjidhni?

Kosto mesatare e sigurimit të shtëpisë në Shqipëri është 1 euro për metër katror në vit. Por për të kuptuar se si të zgjidhni sigurimin e një cilësie të lartë dhe një police me çmim të mirë, më poshtë do të gjeni shpjegimin se si funksionon sigurimi i shtëpisë dhe se çfarë do të merrni në këmbim të asaj që jeni duke paguar për sigurimin e shtëpisë tuaj.

Çfarë e bën një policë sigurimi unike për ju?

Çmimi i sigurimit të shtëpisë mund të variojë në mënyrë të konsiderueshme, në varësi të faktorëve të tillë si gjendja e shtëpisë dhe vendndodhja, pjesa e zbritshme e policës, rreziqet e mbuluara që mund t’ju nevojiten.

Tre faktorët kryesorë që ndikojnë koston e primeve të sigurimit të shtëpisë:

Kushtet e motit dhe nentokës në qytetin tuaj. Qytetet me risk më të madh të katastrofave natyrore përgjithësisht kanë prime më të larta.

Materialet me të cilat është ndërtuar shtëpia juaj. Sa më shumë shanse që të ketë shembja apo dëmtimi i shtëpisë suaj nga katastrofat natyrore aq më i lartë do të jetë primi i sigurimit të shtëpisë suaj. Kjo merr në llogari çdo gjë nga materialet e

përdorura, për shembull, për çatinë, dhe deri tek forma e çatisë suaj.

Historia e humbjeve në zonën ku ju jetoni. Duke qenë se sigurimi i shtëpisë mbulon gjithashtu edhe gjërat që ju keni në zotërim, mundësia që gjërat tuaja të vidhen do të përcaktojnë gjithashtu edhe riskun tuaj.

A ndikon mbulimi në çmimin e sigurimit?

Mbulimi me sigurim ju mbron nga zjarri, eksplozioni, rrufeja, katastrofat natyrore si Tërmet, Përmbytje, Rrëshqitje Toke apo Stuhi, Thyerje xhamash, Vjedhje që mund t’i ndodhin pronës suaj.

Sigurisht, vlera e vet shtëpisë suaj do të ndikojë në çmimin e policës suaj të sigurimit. Nëse ju jetoni në një shtëpi me rifinitura të një cilesië të lartë dhe pajisje shtëpiake shumë të shtrenjta, ju do të duhet që të paguani një prim vjetor më të lartë i cili do të llogarisë kostot e rindërtimit të shtëpisë suaj në rast fatkeqësish natyrore dhe aksidentale.

A mund të kem ulje për policën time?

Ka vetëm disa mënyra se si ju mund të merrni një çmim më të ulët të policës së sigurimit të shtëpisë suaj.

Po ju përmendim disa aspekte të minimizimit të riskut:

Nëse ju keni sistem mbrojtje ndaj zjarrit, alarm zjarri, ose alarm për hyrje të paautorizuar në shtëpi, këto mund të shërbejnë si një mënyrë për ulje çmimi pasi tregon se ju si pronar kërkoni që të ruani sigurinë e shtëpisë suaj dhe kështu ju paraqisni një risk më të ulët për kompaninë e sigurimit.

Historia e dëmeve: Nëse ju keni pasur dëme në të shkuarën, zakonisht çmimi juaj do të rritet përveç pjesës së zbritshme ose nëse ajo që ka ndodhur është menaxhuar nën kontrollin tuaj.

A jeni gati për të blerë?

Gjatë krahasimit të çmimeve të sigurimit të shtëpisë, krahasoni çdo policë në detaje përpara marrjes së një vendimi, duke përfshirë pjesën e zbritshme, shtesat, apo limitet e mbulimit.

Sigurisht, çmimi është i rëndësishëm, por nuk ia vlen që të blini një policë të lirë që nuk ju fal paqen e mendjes.

PSE SIGAL UNIQA?

Gjatë vitit 2021, vetëm në Sigurimet e Pronës, SIGAL UNIQA ka paguar te klientët e saj mbi 3 milionë euro dëmshpërblime. Ndërkohë, vetëm gjatë këtij 6-mujorit të parë të këtij viti, vetëm për Sigurimin nga Zjarri, SIGAL ka paguar te klientët e saj mbi 700 mijë euro dëmshpërblime.

Kjo ka bërë që SIGAL UNIQA Group Austria të jetë lidere në treg, duke zënë 53.44% të tij me një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, thekson AMF në raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2022.

ZGJIDH ONLINE një nga PAKETAT E SIGURIMIT që ofron SIGAL UNIQA me vetëm një klik në: https://sigal.com.al/pasuri-dhe-garanci/sigurimi-i-prones-dhe-pergjegjesise/sigurimi-i-shtepise/

Nëse doni të siguroheni ka vetëm 1 emër, SIGAL UNIQA Group Austria…

Për çdo pyetje apo paqartësi, kontaktoni në:

Whatsapp: +355 68 606 2829

E-mail: [email protected]

Continue Reading

Ekonomi

Mbi 32 mijë qytetarë pajisen me lejen e re të qarkullimit

Published

on

By

Leja e re e qarkullimit ka hyrë në fuqi që prej muajit qershor, ndërsa deri më tani me të janë pajisur me të 32 mijë e 724 drejtues mjetesh. Lejet e qarkullimit janë lëshuar në një periudhë kohore prej dy muajsh, nga 6 qershor deri 29 korrik 2022

Krahasuar me vitin 2021 janë dhënë 1.874 më shumë leje qarkullimi ose 6% më shumë, ndërsa krahasuar me 2018 janë dhënë 11.099 më shumë leje qarkullimi, ose 51%. Shifrat janë publikuar nga kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhe.

Leja e re e qarkullimit ka zëvendësuar tre dokumente, lejen e vjetër të Qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama thotë se leja e re e qarkullimit ka ulur me 40% kostot për qytetarët, pasi tashmë kushton më lirë, 2.100 lekë nga 3.500 lekë. Nga kjo ulje prej dy muajsh u janë kursyer 45.813,600 lekë qytetarëve.

Leja e re e qarkullimit e mjetit lëshohet për regjistrime të reja ose kur qytetari azhurnon të dhënat e mjetit, kur ndërron pronësinë, kur humb apo dëmtohet leja e vjetër dhe kur qytetari dëshiron vetë të marrë lejen e re. Nuk ka detyrim për mbajtësit e lejes së vjetër të mjetit që ta ndërrojnë atë.

Continue Reading

Ekonomi

Kosova dhe Shqipëria vendet më të varfra në rajon

Published

on

By

Është publikuar renditja e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022.  Sipas këtyre të dhënave, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.

Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022.Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.

Sipas këtyre të dhënave, për vitin 2022 Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.

Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë në 17,383 dollarë.

Matja e vendeve të pasura dhe të varfër bëhet referuar PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse.

Produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.

Kjo matje bëhet pasi nëse do të merrnim parasysh vetëm produktin e brendshëm bruto të një vendi gjatë një viti, atëherë do na duhet të konkludojmë se kombet më të pasura janë pikërisht ato me GDP-në më të lartë si Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia apo Gjermania. Kështu, për të patur të dhëna më të sakta sa i përket vendeve më të pasura dhe atyre më të varfëra, sipas Global Finance, është e preferueshme që vendet të jenë edhe egalitare, pra të barabarta ekonomikisht.

Për të vlerësuar se sa të pasur janë qytetarët e një vendi, është e nevojshme të kuptohet se sa mund të blejnë. Pra kur krahasojmë GDP-në për frymë midis vendeve, PBB-ja duhet të rregullohet për barazinë e fuqisë blerëse, gjë që na ndihmon të marrim parasysh normat e inflacionit dhe çmimin e mallrave dhe shërbimeve në çdo vend të caktuar.

Sipas kësaj metodologjie vendi më i pasur në botë është Luksemburgu me PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse deri në 140,694 dollarë. Vendi dytë më i pasur është Singapori, ndjekur nga Irlanda dhe Katari.

Në fillim të listës vijojnë edhe vende si Zvicra Emiratet e bashkuara Arabe, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara në vend të shtatë me 76,027 dollarë për frymë. Por cilat janë vendet më të varfëra të botës? Listimi i tyre sipas PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerë tregon se në fund të listës janë vende si Burundi, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria, Republika e Kongos dhe vende të tjera afrikane.

Në rajon, sipas renditjes, Kosova dhe Shqipëria janë më të varfërat në rajon, duke u radhitur në vendet 105 dhe 90, respektivisht. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Renditet në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë.

Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditur në vend të 72 dhe 78 respektivisht. Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.

Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.

Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Kosova, si shumë vende të botës, po përballet me rritje të inflacionit, që ka nisur me pandeminë COVID-19 dhe ka marrë hov pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin e kaluar është  rritur për 14 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING