Sport
Ish-drejtori sportiv i PSG-së i ashpër me Mbappe: Koha që ai të largohet
Pas presidentit Al-Khelaifi, edhe ish-drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, ka qenë i ashpër me Kylian Mbappe, për të cilin mendon se ka ardhur koha që ai të largohet.
“PSG ka ekzistuar para Kylian Mbappe dhe do të ekzistojë pas tij. Ai ka qenë në Paris për gjashtë vite dhe gjatë këtyre gjashtë sezoneve, pesë klube të ndryshme kanë fituar Ligën e Kampionëve.
Asnjëri prej tyre nuk e kishte Mbappe në radhët e veta. Kjo do të thotë se është plotësisht e mundur ta fitosh këtë kompeticion pa atë, ka ardhur momenti që ai të largohet” – u shpreh Leonardo, i cili foli gjithashtu edhe mbi ndikimin negativ që mendon se Mbappe ka pasur prapa skenave në “Parc des Princes”:
“Me sjelljen e tij gjatë dy viteve të fundit, Mbappe po tregon se nuk është ende një lojtar i aftë për ta udhëhequr me të vërtetë një ekip. Ai është një lojtar i madh, jo një lider. Ai është një golashënues i shkëlqyer, jo krijues. Është e vështirë të ndërtosh një ekip rreth tij” – theksoi braziliani.
Mbappe ka edhe një javë kohë për të dhënë përgjigje në lidhje me rinovimin, që me shumë gjasë nuk do të vijë, me PSG-në e detyruar ta nxjerrë në shitje, për të mos e humbur vitin tjetër me parametra zero. Klubi francez i ka vënë edhe çmimin, 200 milionë euro. Dhe menjëherë do të nisë mësymja për të sjellë në Paris nigerianin Osimhen.