Kronike
Ishte në makinë me Licin, djali i Bushatit plumb në kokë! Si i ndoqën atentatorët dhe hapën zjarr! Çifti fatkeq në “vendin e gabuar”
Një atentat i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në lagjen Dobraç të Shkodrës ku pas të shtënave me armë ka humbur jetën Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur djali i ish-kandidatit të PD për Bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati.
I biri i tij, Arlindi, ka marrë një plumb në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa është qëlluar teksa ndodhej në makinë me Licin.
Viktimë ka mbetur edhe një grua, dhe u plagos i shoqi. Ata ishin në vendin e gabuar, në kohën e gabuar…. duke udhëtuar me një motor, në momentin që makina e Licit, pas të shtënave ka humbur kontrollin dhe ka përplasur mjetin e çiftit.
Këta të fundit janë identifikuar si Bashkim dhe Flutura Basha.
Por si ndodhi ngjarja?
Dyshohet se atentatorët e kanë ndjekur me makinë Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, të cilët udhëtonin me një Mercedes Benz, me targa kroate.
Pasi u janë afruar, ata kanë hapur zjarr duke lënë të vdekur Licin dhe plagosur Bushatin. Më pas mjeti ku po udhëtonin dy të fundit, ka dalë nga rruga, ka përplasur motorin e çiftit që kalonte rastësisht, e më pas është përplasur me një mur.
Dyshimet janë se atentati është bërë nga grupi i Bajrajve, një konflikt i hapur prej vitesh mes këtyre të fundit dhe Licve.