Connect with us

Kosova

Islanda i thotë ‘prit’ Prishtinës/ Nuk ka datë për anëtarësimin e Kosovës në KE

Në përpjekje për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ia mësy Rejkjavikut në fillim të muajit për t’ju kërkuar autoriteteve të Islandës që ta çonë përpara aplikimin e Prishtinës. Dosja e Kosovës ndodhet që nga maji i vitit të kaluar në Strasburg, por sipas Presidencës Islandeze, ende nuk ka një datë kur Komiteti i Ministrave do ta fusë në rend dite.

Islanda, që kryeson Presidencën e Këshillit të Europës, ka treguar për tërë procesin nëpër të cilin është duke kaluar aplikimi i Kosovës dhe synimin e saj për ta çuar përpara këtë çështje. Ministria e Punëve të Jashtme e Islandës thotë se Komiteti i Ministrave si organ vendimmarrës i KiE aktualisht po ndjek një qasje hap pas hapi me çështjen e Kosovës.

Dialogu me Serbinë ka rol edhe në mbarëvajtjen e procesit të anëtarësimit në KiE. Për këtë arsye, Komiteti i Ministrave ka shkëmbyer pikëpamjet me emisarin europian, Miroslav Lajçak, që po kryeson bisedimet në Bruksel.

Vetë Islanda thotë se do të qëndrojë në kontakt të ngushtë me të gjitha shtetet anëtare “me synimin për të vazhduar me këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur dhe në përputhje të plotë me rregullat ekzistuese”.

Megjithatë, nuk ka ende një datë të caktuar që aplikimi të futet në rendin e ditës të Komitetit të Ministrave.

 

Advertisement