Kosova
Ivica Daçiç: Nuk shkoj në Strasburg nëse nis procedura për pranim të Kosovës
Ministri për Punë të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se ai nuk synon të shkojë në Strasburg të martën, në përvjetorin e 20-të të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës, nëse Kosova do të pranohet në atë institucion një ditë më vonë.
Ai ka thënë në një konferencë për media, pas takimit me ministren e Jashtme të Gabonit, Yolanda Nijonde, se në 10-vjetorin e arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, është bërë e ditur që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, do të nisë procedurat për pranimin e Kosovës në atë institucion.
Shefi i diplomacisë së Serbisë, ka thënë se Këshilli i Evropës nuk e ka pranuar kurrë një entitet që nuk është shtet, dhe se nuk mund të diskutohet për mbrojtjen e integritetit të Ukrainës, pa e diskutuar integritetin e Serbisë.
“A është qetësuar situata në Kosovë? A kemi përparim në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe? Nuk kam asnjë shtysë që të shkoj në Strasburg, dhe në ditën pasuese ata të nisin procedurën për pranim të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Daçiq.
Kosova e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.