Bota
Izraeli dëshiron ndryshim regjimi në Iran, Trump jo i bindur

Suksesi i fazës së parë të luftës së Izraelit në Iran ka lënë forcat ajrore të tij në kontroll të plotë të qiellit mbi Teheranin.
Madje udhëheqësit izraelitë po mendojnë për ndryshimin e regjimit në Republikën Islamike, raporton Axios.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka mbështetur në mënyrë efektive idenë në një sërë paraqitjesh mediatike në 48 orët e fundit.
Por presidenti amerikan Donald Trump ka mbetur jo i bindur, të paktën deri më tani, thonë zyrtarët amerikanë.
Kur Forcat Mbrojtëse të Izraelit menduan se kishin një dritare për të vrarë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei gjatë fundjavës, Trump e kundërshtoi atë.
Axios shkruan se Shtëpia e Bardhë mbështet qëllimet e deklaruara të luftës të Izraelit për eliminimin e aftësive bërthamore dhe balistike të Iranit, por “jo një mision më të gjerë për të riformësuar Iranin përmes forcës”.
“Ata mund të ndihen më rehat me ndryshimin e regjimit sesa ne”, tha një zyrtar amerikan, duke iu referuar izraelitëve. “Ata mund të ndihen më rehat me shkatërrimin e vendit sesa ne”.
“Por në përgjithësi, bota duhet të dëshirojë që kjo kapacitet bombe të shkatërrohet dhe përfundimisht do të na duhet ta arrijmë”.
Por, zyrtarët izraelitë i thonë Axios se ndryshimi i regjimit nuk është një qëllim zyrtar lufte.
Nuk ishte një nga objektivat e miratuara nga kabineti i sigurisë izraelite përpara luftës, dhe disa zyrtarë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se nuk kanë marrë asnjë direktivë të tillë nga niveli politik.
Netanyahu deklaroi hapur në Fox News të dielën se lufta mund të sjellë ndryshim regjimi në Iran.
Pastaj të hënën, ai pohoi se vrasja e Khamenei-t mund të “i japë fund luftës”.

