Bota
Izraeli sulmon Jemenin, të paktën gjashtë të vdekur dhe 86 të plagosur

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 86 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi ajror të forcave izraelite në kryeqytetin jemenas, Sanaa, njoftuan sot zyrtarë të lëvizjes Houthi.
Sipas autoriteteve Houthi, sulmi u krye si kundërpërgjigje ndaj një rakete balistike të lëshuar të premten nga territori i Jemenit drejt Izraelit.
Forcat izraelite konfirmuan se sulmet, duke bërë të ditur se objektivat e goditura përfshinin një kompleks ushtarak ku ndodhej edhe pallati presidencial, dy centrale elektrike dhe një depo karburanti.
“Sulmet ajrore u realizuan si përgjigje ndaj sulmeve të përsëritura të regjimit terrorist Houthi ndaj Shtetit të Izraelit dhe civilëve të tij, përfshirë lëshimin e raketave tokë-tokë dhe dronëve në territorin izraelit gjatë ditëve të fundit,” thuhet në deklaratën zyrtare të ushtrisë izraelite.
Përplasjet mes Izraelit dhe rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani, janë intensifikuar muajt e fundit. Rebelët e cilësojnë veprimtarinë e tyre si akte solidariteti me popullin palestinez, ndërsa Izraeli i sheh si kërcënime të drejtpërdrejta ndaj sigurisë kombëtare.

