Shkrime
Ja çfarë Vuçiç i kërkoi Radoiçiçit/ Enver Bytyçi tregon detaje
Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka folur edhe njëherë për sulmin terrorist serb që ndodhi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Sipas tij, ai u planifikua nga shteti serb me në krye Aleksandër Vuçicin.
“Banjska është një njollë e zezë në sjelljen ndërkombëtare të Serbisë dhe historia do ta trajtojë si të tillë, si akt të ngjashëm me aktet terroriste të Milosheviçit ne Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe sidomos në Kosovë gjatë viteve 1990.
Ai pati si qëllim aneksimn e territorit të Kosovës dhe destabilizimin e saj dhe të rajonit dhe ishte i mirëplanifikuar dhe mirëorganizuar nga ana e shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, sigurisht me urdhër të komandantit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie, Aleksandër Vuçic. Gjithçka që ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjskë, grumbullimi afër kishës ortodokse dhe mbushja e saj me armë të sofistikuara, vrasja e policit të Kosovës dhe plagosja e një tjetri, afrimi në kufirin me Kosovën i reparteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë, të gjitha ishin skenar dhe regji e politikës dhe kryetarit të shtetit serb” – deklaroi Bytyçi, sipas të cilit, Milan Radoiçiç, me urdhër të Aleksandër Vuçië, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist në veri të Kosovës.
“Pavarësisht se kanë kaluar gati katër muaj nga ajo ngjarje e trishtuar dhe makabre, bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka publikuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Dimë vetëm se Vuçiç thirri në takim kryeterroristin Milan Radoiçiç dhe e këshilloi atë që për pak kohë të fshihet diku, si dhe e këshilloi që ai të marrë përsipër aktin terrorist të Banjskës. Dimë se armët kanë ardhur nga Serbia. Dimë se edhe kisha u implikua. Dimë po ashtu se shteti serb shpalli ditë zie dhe i nderoi tre terroristët që u vranë në përpjekje me policinë e Kosovës. Por ende opinioni publik nuk ka marrë lajme se kush qëndron saktësisht prapa atij akti të shëmtuar e të rrezikshëm” u shpreh profesori i njohur.
Por kush mund të jetë vendi që ka hulumtuar në detaje dhe tashmë e ka të gatshëm një raport informimi për ngjarjen terroriste të Banjskës.
“Deputetja dhe kryetare e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns, gjatë një seance dëgjimore të sekretarit britanik të Shtetit, David Kameron, deklaroi se një prej pesë vendeve të “Five Eyes” ka hulumtuar dhe përgatitur një raport të hollësishëm përsa i përket aktit terrorist .
Në këto pesë vende bëjnë pjesë Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re. “Five Eyes” është një organizatë e shërbimit sekret të përbashkët të këtyre pesë vendeve, me qëllim mbrojtjen nga sulmet diversioniste të Lindjes.
Sigurisht që deputetja Kearns e di se cili prej këtyre shteteve ka kryer investigimin në fjalë. Por etika diplomatike dhe politike nuk e lejon ta bëjë këtë publike”, theksoi Bytyçi.
“Ndërkaq Britania e Madhe, si pjesë e pesëshes, është në dijeni të përmbajtjes së atij raporti. E sigurt është se kur deputetja britanike flet për një raport të tillë, kjo do të thotë se ai raport ka provuar fajësinë e plotë të shtetit serb dhe presidentit Aleksandër Vuçic për aktin terrorist në veri të Kosovës. Është e sigurt se Kearns dëshiron të provojë vërtetësinë e akuzave që ajo i ka bërë Serbisë dhe presidentit të saj përsa i përket provokimeve të Beogradit kundër Kosovës. Sidomos akuzën se kisha serbe shërben si depo armatimi për akte të tilla terroriste” – nënvizoi Bytyçi, sipas te cilit, raportin e kanë përgatitur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qe po mbahen në sirtar e nuk po publikohen pasi ndoshta mbahet si mjet presioni ndaj presidentit serb për të ndryshuar kursin e tij anti-perendimor.