Kosova
Ja cili film do të përfaqësojë Kosovën në Oscars 2023
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi “Në kërkim të Venerës” është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023. Ky film është me skenar dhe regji nga Norika Sefa.
“Jam veçanërisht i gëzuar që ‘Në kërkim të Venerës’, një jetë-botë e një adoleshente e krijuar mjeshtërisht, dhe një vepër thuajse fiksion etnografik shqisor i një fshati të vogël, është zgjedhur të përfaqësoj Kosovën në platformën më të madhe të kinemasë në botë”, u shpreh Lum Çitaku, drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës pas vendimit të komitetit selektues.
Kujtojmë që filmi ka në qendër Venerën, një adoleshente e ndrojtur, e cila rritet mes tre brezave që janë vazhdimisht nën këmbët e njëri-tjetrit në shtëpinë e tyre të ngushtë. Dikush i ka thënë: një vajzë pritet, mbi të gjitha, të mbrojë reputacionin e saj dhe atë të familjes së saj.
Përjetimi i një jete te re me shtigje të tjera, bashkë me shoqen e saj, Venera është e shtyrë të revoltohet ndaj një mentaliteti patriarkal duke kërkuar një përshtatje të nevojshme në te.