Sport
Ja ka kaluar Nejmarit e Ronaldos, ja kush është lojtari që ka qarkulluar më shumë para
Romelu Lukaku është një nga temat më të nxehta në shtëpinë e Interit, pasi e ardhmja e tij është ende në dyshim. Çelsi ka refuzuar huazimin e tij për një tjetër vit dhe negociatat priten të vazhdojnë edhe për disa javë deri në konkretizimin ose jo të tyre, me vetë belgun që ka shprehur dëshirën për të vazhduar qëndrimin e tij në Milano.
Ngërçi më i madh në këtë operacion vazhdon të jetë vlera e transferimit dhe formula, me londinezët që nuk duan të pranojnë një tjetër huazim për 8 milionë euro, aq sa ishte kostoja e transferimit të këtij viti.
Ndërkohë që pritet të merret vendimi, një shitje përfundimtare e tij nga Çelsi në drejtim të Interit se ndonjë klubi tjetër do ta shtonte edhe më shumë koston totale të transferimeve të Lukakut, që deri më sot është lojtari për të cilin janë shpenzuar më shumë para në merkato.
30-vjeçari ka kompletuar 7 transferime, për të cilat ka qarkulluar plot 333.36 milionë euro, me atë të dy sezoneve më parë nga Interi te Çelsi për 113 milionë si më të shtrenjtin.
Për të plotësuar podiumin gjenden Nejmar dhe Kristiano Ronaldo, me 310 milionë euro që janë shpenzuar për dy transferimet e brazilianit (Santos-Barcelona-PSG) dhe 247 milionë për 4 transferimet e portugezit.