Connect with us

Kronike

Dekonspirohet operacioni për kapjen e Talo Çelës

TIRANË– 10 mijë euro shpërblim jep Policia e Shtetit për ‘kokën’ e Talo Çelës. E ndërsa e kërkonin në ‘qiell’, “killeri” nga Elbasani, në fakt ishte në tokë, duke qarkulluar i lirë nëpër Tiranë, pa u fshehur nga askush. Nga e-mailet e rrjedhura nga letërkëmbimi elektronik i ish-drejtorit të Përgjithshëm, Gledis Nano, është vërtetuar pikërisht ky fakt. Talo Çela ka qenë në Tiranë, më konkretisht tek rruga e Dibrës, ku ka shkuar për të konsumuar një kafe në hotelin ‘Victoria’ me Ervin Matën.

Në email-in e publikuar nga hakerat, shkruhet e zeza mbi të bardhë. Talo Çela erdhi në Tiranë, qarkullonte me një mjet tip ‘Audi Q8’ ngjyrë blu të errët me targa gjermane. Madje dhe vizitat i kishte të lira, pa u druajtur nga askush. “Burimi” i Policisë, një agjent i anti-terrorit e ka parë dhe ka raportuar. Por ndërkohë i ka mbajtur nën vëzhgim, duke raportuar edhe takimin e dytë gati 20 ditë më vonë.

“Më datën 5 Gusht 2021 pas orës 20.00 ai ka shkuar tek Hotel Viktoria-s Rooms me adresë tek Rruga e Dibrës. Atje ai ka shkuar i shoqëruar nga tre persona të tjerë të cilët kishin në përdorim një mjet tip golf ngjyrë gri, kurse vetë udhëton me një mjet tip Audio Q8 ngjyrë blu të errët me targa gjermane. Burimi ka informuar se në këtë objekt, Talo Cela ka qenë dhe para dy javësh, rreth datave 25-26 korrik 2021,”-thuhet ndër të tjera në shkresë.

NEGLIZHENCË APO SHITJE? Si u spiunuan lëvizjet

Donte informacione Policia? Ja dërguan vetë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me email, pse nuk ndërhynë? Policia, pa para, ka marrë informacione për vendndodhjen e një personi të kërkuar; nuk ka ndërhyrë; I shumëkërkuari është rikthyer sërish në vendin ku u pa herën e parë, sërish nuk ndërhynë; deduksioni i thjeshtë është ky, Policia nuk vepron. Por fillimisht dërgon një e-mail, më pas pret përgjigjen, ndërkohë që Talo vazhdonte i qetë bisedën brenda në hotel, duke folur për vrasje dhe hesape të tjera të botës së krimit. Ndërkohë që ‘ankoheshin’ se deri më tani qytetarët nuk kanë dhënë asnjë kontribut për kapjen e tij, teksa për të disatën herë bënin apel për të bashkëpunuar.

Megjithatë më skandaloze është mosveprimi i Policisë që bën ndonjë ‘sy qorr’ tek-tuk, atje ku i intereson. E më pas dështimet i mbulojnë me makiazh dhe me aksionet false që bëjnë në Bradashesh për të kapur Talon, kur në fakt e kanë në Tiranë, mu para hundës së tyre. Madje e shohin, raportojnë me e-mail, e nuk bëjnë asgjë. Asgjë!
Kur në fakt është një nga personazhet më të kërkuara nga Policia e Shtetit në 10 vitet e fundit, pasi personazhi në fjalë akuzohet për një mori vrasjesh në Shqipëri, së bashkëu me bashkëpunëtorin e tij që iu kthye në armik, Nuredin Dumanit. Për të kapur Talo Çelën, ndër vite janë zhvilluar dhjetra aksione, që janë përqëndruar vetëm në qarkun e Elbasanin, por gjithmonë kanë pasur një përfundim: Dështimin! Arsyen se përse, u kuptua shumë qartë nga mosveprimi. Se përse dhe se kush, këtë duhet ta gjejë Policia. Të paktën të gjejë ‘çimkat’, meqë për kriminelët e kanë të pamundur.

E njëjtja gjë, tashmë raportohet se ka ndodhur edhe me Ervis Martinajn. Kolegët e kronikës së zezë, por edhe pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë tregojnë se ai ka qarkulluar lirshëm në Tiranë, duke bërë edhe pazare në qendra tregëtare, madje i shoqëruar nga një person që si detyrë kryesore kishte ta prangoste, nga një agjent i operacionalesh. Mesa duket nëse nuk do ‘shteti’, nuk arrestohesh.

Advertisement