Pinknews
“Jam sulmuar me lajme të pavërteta”, Elvana Gjata reagon pas komenteve në rrjet: Gënjeshtrës i janë zgjatur këmbët
E ftuar në emisionin “Ndryshe” ishte artistja e mirënjohur Elvana Gjata. Mes të tjerash Elvana ka një përgjigje për disa lajme në rrjete sociale që sipas saj janë jo të vërteta. “Në momentin që çdo gjë ka kaluar në platformat online, rrjetet sociale, ka plasur një luftë lojë numrash, klikimesh, komentesh, opinionesh”, thotë ajo.
“Për shembull për mua nuk më bën çudi asgjë dhe nuk çuditem kur shikoj lajme me romancë në momentin kur bëj një kërcim në skenë me Ylli Limanin, apo në momentin kur jam në film “2 Gisht Mjaltë” me Ermalin, apo me serialin me Romeon. Por nuk do të thotë që unë tani do të reagoj gjithmonë, sepse realisht i bie që të merrem vetëm me këtë punë dhe të lë gjërat e tjera”, thotë këngëtarja.
Më tej, ajo shtoi: “Fakti është që të thuash të vërtetën sot është çmenduri në një botë plot me gënjeshtra. Sot e vërteta mbulohet me mijëra gënjeshtra. Është e trishtë kur ti shikon një lajm që promovohet dhe riprodhohet nga një mijë portale të tjera dhe nuk i gjendet më as fillimi dhe as fundi. Në fakt këtë do ta quaja një gënjeshtër të madhe. Ne kemi atë shprehjen tonë që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në kohët që jetojmë gënjeshtrës i janë zgjatur shumë këmbët. Unë jam sulmuar me lajme të rënda do thoja, të pavërteta. Jo vetëm të pavërteta do thoja, por jashtë çdo llogjike dhe sensi, por kjo mua nuk më ka bërë që të ndalem dhe fakti që nuk kam reaguar nuk do të thotë që kam qenë indiferente, por kam zgjedhur të punoj me të gjithë forcat e mia.”