Politike
Balliu fton qytetarët në protestën e datës 24 janar
Opozita do të zbresë sërish në protestë kombëtare ditën e shtunë, më 24 janar. Deputeti demokrat Klevis Balliu, në një intervistë televizive, ka zbuluar se ky tubim nuk do të jetë si të tjerët, por do të shënojë fillimin e një faze të re aksioni të pandërprerë.
Sipas tij, fokusi i opozitës tashmë është te “qëndresa”, një koncept që nënkupton jo një protestë të vetme, por vazhdimësinë e betejës kundër qeverisë. Balliu theksoi se strategjia e re synon të shmangë gabimet e së shkuarës, ku aksionet opozitare janë ndërprerë para kohe.
“Aksioni i opozitës është i përqendruar tek qëndresa. Kjo nënkupton vazhdimësinë e protestës, vazhdimësinë e aksionit opozitar për mos u lënë përgjysëm,” deklaroi ai, duke e përshkruar protestën si një “aksion pa ndalim kundër vjedhjes dhe korrupsionit”. Duke iu përgjigjur kritikave mbi efektivitetin e protestave, deputeti demokrat argumentoi se kauza e opozitës është e drejtë dhe beteja është e nevojshme përballë skandaleve qeveritare.
Ai përmendi rastin e AKSHI-t, duke e quajtur një “tmerr” që po tentohet të mbulohet nga propaganda e pushtetit, si dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë si Ergys Agasi në afera korruptive. Balliu denoncoi se në Shqipëri biznesmenët merren peng dhe torturohen për të tërhequr ankimimet për tendera, në mënyrë që ato t’i fitojnë të afërmit e pushtetarëve.
Sipas tij, aftësinë për të mbajtur një betejë të gjatë dhe konsistente e ka vetëm Partia Demokratike.
“Që ta bësh atë, duhet të kesh me vete besnikë, njerëz që besojnë tek ajo kauzë, duhet të kesh me vete misionarë,” u shpreh Balliu, duke shtuar se pikërisht këta “misionarë” do të garantojnë që aksioni të mos ndalet deri në arritjen e qëllimit, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në lidhje me kampin opozitar, deputeti ishte i prerë, duke deklaruar se disa aktorë politikë nuk janë opozitarë të vërtetë. Sipas tij, ata thjesht mashtruan votuesit për të marrë vota dhe për të siguruar një vend në parlament, ku më pas heshtin. “Këta hoqën vota opozitare duke mashtruar njerëzit se janë opozitë. Ç’opozitë janë këta?” vijoi ai.
Balliu:
Aksioni i opozitës është i përqëndruar tek qëndresa. Që do të thotë në kuptimin e plotë të fjalës, jo thjesht qëndrimi në një vend, por vazhdimësia e protestës. Pra vazhdimësia e aksionit opozitar për mos u lënë përgjysëm, siç është bërë më parë, që për arsye të ndryshme, për mos t’i hyrë këtu, janë bllokuar aksionet kur ato kanë qenë në pikat më kulminante. Në rastin konkret, viti i ri, jep një mundësi dhe një pikë shprese ndryshimit në vendin tonë me anë të një aksioni të vazhdimësisë dhe të qëndresës. Pra qëndrojmë të bashkuar në një aksion pa ndalim kundër qeverisë, ose më saktë kundër vjedhjes dhe korrupsionit.
E para, për të gjithë ata që kanë ankesa për protestën, i ftoj të vijnë ta bëjnë ndryshe aksionin. Janë të mirëpritur. Ka protesta kombëtare, janë të hapura. Mirë se të vijnë dhe ta bëjnë ndryshe, ata që kanë mendime. Së dyti, unë nuk di kur dal në një betejë nëse ajo betejë do të fitohet sot apo nesër. Në betejë dilet nëse beson që është e drejtë. Kam bindjen e plotë që ne jemi në të drejtë të dalim në protestë kur kemi parë tmerrin e AKSH-it, që një skandal i cili po venitet në opinionin publik nga propaganda e pushtetit, por që nuk ndryshon faktin që ne jemi një vend ku biznesmenët merren peng nga efektivë policie, çohen tek bodrumet e krimit të organizuar, në rastin konkret Suel Çelës, torturohen atje që të tërheqin ankimimet për tenderat, që tenderin pastaj ta marri baxhanaku i kryeministrit. Kjo nuk ndryshon.
Siç nuk ndryshon fakti që jemi i vetmi vend në botë që kemi një koordinator për krimin e organizuar, që është Ergys Agasi, që thirr- thërriste në zyrën e tij shefen e krimit kibernetik, sepse i burri i saj ishte shoferi i tij, domethënë deri këtu ka arritur kulmi. Që thërriste në zyrën e vet, si një skllave të vet, drejtoreshën e AKSH-it, të dy këto institucione të kemi parasysh kanë të bëjnë direkte me sigurinë kombëtare, dhe një institucion i cili kishte kaluar afro 800 milionë euro tendera, kontrollohesh nga një individ që s’ka asnjë funksion publik. Pra këto nuk nuk kanë ndryshuar, pavarësisht janë venitur sepse kemi gjithë mediat e pushtetit dhe propagandën e pushtetit që paguhet pikërisht me paratë që janë vjedhur qytetarëve shqiptarë.
Pra i vjedhin paratë me afera korruptive dhe një pjesë të tyre ja u japin ca televizioneve që të bëjnë propagandë gjithë ditën kundër opozitës dhe mos flasin për këto çështje. Kjo është domethënë skema. Pra këto nuk janë, pavarësisht venites që ka bërë realiteti vazhdon të jetë po i njëjtë, vazhdon të jetë i dhimbshëm. Në këtë kontekst, kauza e opozitës, besoj unë është e drejtë dhe kauza e qytetarëve është e drejtë. Atëherë, dalim tek faza e dytë. Si do të jetë ndryshe kjo protestë apo ky aksion nga ato të tjerat? Ndaj e thashë që në fillim, që ky aksion ka për qëllim vazhdimësinë.
Është shumë e vështirë vazhdimësia e një beteje. Vazhdimësinë e një beteje, të një proteste të gjatë, konsistente në kauzën e vet dhe në aksionin e vet, nuk e bën dot askush tjetër përveç Partisë Demokratike. Sepse që ta bësh atë, duhet të kesh me vete besnik, njerëz që besojnë tek ajo kauzë, duhet të kesh me vete misionarë. Dhe këto nuk janë metafora apo në thjesht për gjuhë politike.
Po unë do ftoj çdo qytetar një moment të mendojë. Nga pushteti i Ramës në 13 vjet, kush ka vuajtur më shumë? A kanë qenë ata të cilët i kanë dalë përballë gjatë gjithë kohës. Dhe ata vazhdojnë të insistojnë të dalin në betejë, pra duhet të jesh misionar ta vazhdosh atë betejë, kur thoni ju që nuk ka funksionuar deri sot dhe këta vazhdojnë me forcën e kartonit. Dhe do të dalin me datë 24 dhe do të rikthehen përsëri deri sa qeveria të reflektojë në kuptimin që Edi Rama të japë dorëheqjen.
Po tani, keni njerëz të cilët thotë do bëjnë namin po hyri në parlament. Ka futur tezën atje, s’ka folur njëherë. Ai tjetri qorri që thotë unë do bëj namin në parlament, aty e ka atë. Pse s’bën namin ai në parlament? Si s’i dëgjojmë zërin atyre? Çfarë do bënin në parlament këta? Çfarë bën këta? Këta hoqën vota opozitare duke mashtruar njerëzit se janë opozitë. Ç’opozitë janë këta? Dëgjova njërin krenohej, kam bërë tha, kam marrë tha gjashtë procedime penale tha, i kam medalje tha. Unë kam 450 procedime penale. Po mua ça të më japin?