Connect with us

Rajon

Janë të ngulur thellë/ Ambasadori Hill për pozicionet e Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka folur për procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për median serbe ‘Kurir’, Hill tha se procesi i Brukselit është i mire, megjithëse sipas tij, shumë janë të pakënaqur që po zgjat kaq shumë, pasi palët janë të ngulitura thellë në pozicionet e tyre

“Nuk duhet t’ju them njerëzve në Serbi se sa e vështirë është kjo çështje. Palët janë të ngulitura thellë në pozicionet e tyre. Mendoj se procesi i Brukselit është i mirë, megjithëse shumë janë të pakënaqur që po zgjat kaq shumë. Dikur u largova nga Ballkani dhe isha, ndër të tjera, në Poloni dhe Korenë e Jugut. Nuk e prisja që do të kthehesha në Ballkan dhe as e mendoja se çështja e Kosovës do të ishte ende aktuale” – është shprehur ambasadori amerikan.

Hill më tej ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e bërë të qartë qëndrimin e SHBA-së lidhur me këtë çështje.

“Në diplomaci më e rëndësishmja është se ekziston një mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të tilla dhe mendoj se ambasadori Lajçak është personi i duhur në kohën e duhur për këtë. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë muaj më parë se Asociacioni i Komunave Serbe është një element kyç që duhet të zbatohet. Në të njëjtën kohë, Kosova është gjithashtu e pakënaqur që qasja e saj në disa organizata ndërkombëtare është e bllokuar dhe ne duhet të merremi edhe me këtë” – ka theksuar Hill, i cili më tej ka shtuar se tani është koha për të mbështetur atë që po arrihet përmes dialogut.

“Është e lehtë të shikosh nga larg apo anash, se si dikush po përpiqet të bëjë diçka dhe ti të japë këshilla. Tani është koha për të mbështetur atë që po arrihet përmes dialogut nën kujdesin e BE-së” –  ka potencuar ambasadori Hill.

Advertisement